Berisha përdhos deklaratën për Kosovën, konferencën ja kushton më së shumti problemeve të PS-së e presidentit
Edhe pse ka dalë në një konferencë shtypi për situatën e rëndë që është krijuar në Kosovë, kryeministri Berisha i ka kushtuar asaj vetëm 3 minuta, ndërsa pjesën tjetër, më shumë se 20 minuta, ka folur për kundërshtarin e tij, Edi Rama dhe problemet e PS-së.
Në deklaratën për Kosovën, Berisha ka thënë se dënon sulmet serbe, të cilët, sipas tij, frymëzohen nga fantazma e Serbisë së madhe.
Më poshtë është deklarata e plotë e Berishës për situatën e Kosovës:
Qeveria e Shqipërisë po ndjek provokimet e rrezikshme të bandave të serbomëdhenjve në veriun e Kosovës, duke mbështetur plotësisht të drejtën dhe vendimet e qeverisë së Kosovës për garaqntimin e rendit, integritetin dhe kontrollin e plotë të Kosovës. Qeveria e Shqipërisë dënon aktet kriminale të falangave serbomëdha, vrasjen e oficerit të policisë së Kosovës, djegien e doganave dhe sulmin e armatosur ndaj forcave të KFOR. Këto sulme kanë qenë të mbështetura dhe të paguara nga qarqe ultranacionaliste serbe. Flakët e zjarrit dhe tymi, vrasja e oficerit të forcave spoeciale, sulmi ndaj KFOR, dëshmojnë qartë se fantazma e Serbisë së madhe paraqet rrezik për paqen dhe stabilitetin në rajon. Qeveria shqiptare mbështet plotësisht popullin dhe qytetarët e Kosovës dhe integritetin territorial të saj. Ne jemi të bindur se çdo pëprjekje për dhunimin e territorit të Kosovës do të marrë përgjigjen e merituar. Qeveria shqiptare mbështet plotësisht vendimin e qeverisë së Kosovës për ndalimin e hyrjes së mallrave serbe në Kosovë, për shkak të embargos serbe për mallrat kosovare. Ne jemi të gatshëm ti japim ndihmë Kosovës për të përballur embargon serbe. Qeveria shqiptare i bën thirrje qeverisë së Kosovës dhe asaj serbe të ulin tensionet dhe të dialogojnë, si palë të barabarta.