Berisha përpiqet të eksportojë krizë në KosovëNga Kryeministri i Shqipërisë kërkon të ndikojë në zgjedhjet lokale të sivjetshme në Kosovë, shkruanin dje mediet kosovare. Shqetësimi i Kosovës ka lindur nga takimet e zotit Berisha, në Tir
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Berisha përpiqet të eksportojë krizë në KosovëNgaKryeministri i Shqipërisë kërkon të ndikojë në zgjedhjet lokale të sivjetshme në Kosovë, shkruanin dje mediet kosovare.
Shqetësimi i Kosovës ka lindur nga takimet e zotit Berisha, në Tiranë, me përfaqësues të dy partive kosovare ditët e fundit. Zgjedhjet lokale të Kosovës do të mbahen në vjeshtë.
“Kryeministri i Shqipërisë, Sali Berisha ka shfaqur indikacione për t’u përzier në zgjedhjet e sivjetme lokale në Kosovë, duke u pozicionuar qartësisht krah partive të deklaruara si të djathta,” shkruante dje gazeta “Express” e Prishtinës.
“Pasi e bindi Ramush Haradinajn se është politikan i djathtë, Kryeministri i Shqipërisë Sali Berisha tash i konfirmoi LDK-së së është lidere e së djathtës në Kosovë,” vazhdonte gazeta.
Berisha u takua fillimisht me Rramush Haradinajn, më 6 gusht.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit, “Z. Berisha dhe z. Haradinaj nënshkruan një Memorandum Bashkëpunimi midis Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Partisë Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës. Ky Memorandum synon zhvillimin e bashkëpunimit të ngushtë midis dy partive politike, duke u bazuar në përcaktime programore të përbashkëta, të orientimit politik të qendrës së djathtë për zhvillimin e demokracisë, ekonomisë së tregut të lirë, afirmimin e vlerave kombëtare dhe integrimin euro-atlantik.”
Gjashtë ditë më vonë, të martën, 12 gusht, Kryeministri shqiptar u takua me një delegacion të LDK-së.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrit, ata folën, mes të tjerash, për “bashkëpunimin midis dy forcave politike, Partisë Demokratike të Shqipërisë dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës. Kryeministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me LDK-në, në traditën e bashkëpunimit midis dy forcave politike, sikurse kërkoi mirëkuptim për vendosmërinë e tij për të mbetur i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të Kosovës, pasi ky është qëndrimi që përshtatet me interesin më të mirë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe interesit kombëtar.”
Kryeministri i ka zhvilluar takimet me cilësinë e kryetarit të Partisë Demokratike, por në faqen e internetit të saj nuk ka asnjë njoftim. Deklaratat u shfaqën në faqen e internetit të qeverisë.
Këto takime ngjallën reagime në Shqipëri dhe Kosovë për shumë arsye.
Në Kosovë, së pari, sepse në vjeshtë aty zhvillohen zgjedhjet lokale dhe dihet që Tirana zyrtare, e ndihmuar edhe nga mediet e Tiranës me shtrirje të madhe në Kosovë, do të ketë ndikim në zgjedhje.
Ndërsa në Shqipëri, shqetësimi është se kryeministri shfrytëzon detyrën e tij ekzekutive për veprimtari politike partiake. Minimalja që ai duhet të bënte ishte që të shkonte nga Kryeministria te selia e PD, 2 minuta kohë, dhe t’i takonte në zyrën e kryetarit të partisë si dhe aktiviteti të pasqyrohej në faqen e saj dhe jo të qeverisë. Në faqen e PD, deklarata e fundit mban datën 7 gusht; një deklaratë e zëdhënëses së partisë me akuza kundër kreut socialist Rama.
Këto takime, kanë edhe anën e tyre komike, kur, për shembull, flitet për “orientimin e djathtë”, në takimin me zotin Haradinaj.
Dihet, AAK është një parti e themeluar nga ish-luftëtarë të UÇK-së dhe ata janë të njohur për nostalgjinë e tyre për diktatorin e Shqipërisë Enver Hoxha. UÇK ishte forca ushtarake që iu kundërvu me armë forcave serbe në fund të viteve 90 që Kosova të shpallej e pavarur nga Jugosllavia e mbetur (Serbi dhe Mali i Zi asokohe), ndërsa Enver Hoxha kishte synime të kundërta me UÇK-në. Ai ishte për humbjen e pavarësisë së Shqipërisë dhe bashkimin e saj me Jugosllavinë. Në mbledhjen e Byrosë Politike, 14 mars 1948, Enver Hoxha ka deklaruar: “ne jemi që bashkimin (me Jugosllavinë) ta bëjmë sa më parë.”
Berisha, nga ana tjetër, i cili ka pretenduar gjithmonë se përfaqëson një parti të djathtë, vetëm dy javët e fundit ka bërë dy propozime tipike për të majtën ekstreme: ligji për lejimin e martesës së homoseksualëve dhe marrja e tokës pronarëve që nuk e punojnë. Ndërsa fjalori i tij është zhargon i ish-aparatçikëve komunistë me terma si “borgjezi”, apo shprehje si “toka i takon atij që e punon” etj.
Megjithatë, Berishën e ka shqetësuar takimi me përfaqësuesit e LDK-së dhe kryeministria, sipas medieve elektronike, u detyrua të ndërronte deklaratat e saj të shtypit në faqet e qeverisë në lidhje me këtë takim. “Zyra e shtypit të Këshillit të Ministrave ndryshon komunikatat në faqen e saj zyrtare,” shkruante dje agjencia “NOA”.
Fraza e deklaratës së parë se “Kryeministri Berisha shprehu gatishmërinë e tij për t’i dhënë LDK-së ndihmë pa rezervë, sikurse vuri theksin në nevojën e bashkimit të grupimeve të ndryshme politike në Kosovë si mënyra më e mirë që LDK-ja të arrijë rezultate pozitive”, u transformua, në deklaratën e dytë: “Kryeministri shprehu gatishmërinë për të bashkëpunuar me LDK-në, në traditën e bashkëpunimit midis dy forcave politike, sikurse kërkoi mirëkuptim për vendosmërinë e tij për të mbetur i hapur për bashkëpunim me të gjitha forcat politike të Kosovës, pasi ky është qëndrimi që përshtatet me interesin më të mirë të bashkëpunimit midis dy vendeve dhe interesit kombëtar,” sipas NOA-s.
“Nëse mund t’i besohet citimit të drejtë të deklaratave të Kryeministrit Berisha nga ana e Zyrës për Informim të LDK-së, atëherë ky është rasti i parë kur politikanët e Shqipërisë deklarohen hapur në mbështetje të një partie politike,” shkruante “Express”.
Sipas kësaj gazete, “partitë politike në Kosovë, veçmas LDK dhe AAK, po përpiqen ta shfrytëzojnë reputacionin e madh që ka Sali Berisha në Kosovë për të mbledhur vota.”