Ekstradohet i denuari me burgim te perjetshemNga Interpol Tirana ka ekstraduar dje nga Mynihu të dënuarin me burgim të përjetshëm, Adhurim Sallmonen, i cili prej 19 vjetësh ishte shpallur në kërkim nga drejtësia Shqiptare. Sallmone ishte shpallur në
Nëse dëshironi të lexoni edicionin online të gazetës në PDF klikoni këtu.
Ekstradohet i denuari me burgim te perjetshemNgaInterpol Tirana ka ekstraduar dje nga Mynihu të dënuarin me burgim të përjetshëm, Adhurim Sallmonen, i cili prej 19 vjetësh ishte shpallur në kërkim nga drejtësia Shqiptare. Sallmone ishte shpallur në kërkim ndërkombëtar, pasi u shpall fajtor dhe u dënua për vrasjen e një nënoficeri dhe dy ushtarëve, ngjarje kjo e ndodhur gjatë vitit 1990.
Ekstradimi
Plot 19 vjet pas vrasjes së një kolegut të vet dhe dy ushtarëve, Adhurim Sallmone, 43-vjeç, është ekstraduar ditën e djeshme nga Mynihu i Gjermanisë, ku dhe ishte arrestuar me kërkesë të Interpol Tiranës. Policia bëri me dije se ekstradimi i Sallmones është kryer, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Durrës, më datë 3 gusht të vitit 1994, e ka dënuar me burgim të përjetshëm atë, për veprat penale të “Vrasjes për motive të dobëta”, “Tentativës së vrasjes dhe “Shpërdorimit të armatimit dhe shkeljes së rregullave të shërbimit ushtarak”. Ngjarja për të cilën u shpall fajtor Sallmoni ka ndodhur më datën 25 tetor të vitit 1990, ndërsa gjatë gjithë kësaj kohe ai ka mundur që t’i shmanget prangosjes nga ana e policisë. Sipas vendimit të atëhershëm të Gjykatës së Durrësit, e cila e dënoi 43-vjeçarin me burgim të përjetshëm, Sallmone, në bashkëpunim me Edmond Gjokën, ka rrëmbyer motoskafin e kufirit në Durrës. Për të realizuar këtë, ata kanë vrarë nënoficerin Ilir Gjyrdeti, i cili ka qenë dhe komandanti i motoskafës, ushtarin Arben Legisi, si dhe ushtarin tjetër, Ilir Goxhomani. Adhurim Sallmone ishte 24-vjeç atëherë, ndërsa funksioni i tij ishte nënoficer në komandon në motoskafin e Repartit të Kufirit të degës së Brendshme, Durrës. “Mbrëmjen e 25 tetorit të vitit 1990, Sallmone, bashke me kolegun e tij nënoficer, Ilir Gjyrdeti, i cili ka qenë me detyrë komandant në motoskafin e Repartit te Kufirit te Degës se Brendshme Durrës, hipin në skaf dhe dalin për patrullë në bregdetin e zonës së plazhit në Durrës, deri në Golem. Bashkë me ta, në skaf ndodheshin edhe dy ushtarë, Arben Legisi dhe Ilir Goxhomani. Në patrullim e sipër, nënoficer Adhurim Sallmone vret me armë zjarri Ilir Gjyrdetin dhe një nga ushtarët, ndërkohë që ushtari tjetër flinte. Pasi hedh dy të vrarët në det, drejton skafin drejt hotel “Ilirisë”, ku e prisnin 6 persona. Pasi i merr këta shtetas në bord, gjatë rrugës ushtari tjetër zgjohet dhe Adhurimi i propozon të shkojë me ta në Itali. Pasi ushtari nuk e pranon propozimin e bërë, ata e godasin dhe e hedhin në det tek feneri i fundit. Trupi i këtij ushtari është gjetur të nesërmen, ndërsa dy trupat e tjerë pas dy ditësh. Për këtë arsye, Gjykata e Rrethit Durrës e shpall fajtor dhe e dënon me burgim të përjetshëm Adhurim Sallmonen”, thuhet në vendimin e marrë 15 vjet më parë nga ana e Gjykatës së Durrësit. Ndërkohë, nënoficer Ilir Gjyrdeti, i cili u vra në krye të detyrës me datën 25 tetor të vitit 1990 nga ana e Adhurim Sallmones, u shpall “Dëshmor i Atdheut” gjashtë vjet më parë, ndërsa Kuvendi i kishte akorduar edhe një “Urdhër për vepra trimërie”.