Berisha përsërit idenë bërthamore
Mbështetja e Italisë për anëtarësimin në NATO të Shqipërisë, roli rajonal i saj dhe projektet energjetike ishin temat themelore të bisedimeve të djeshme në Tiranë të presidentit të rajonit të Lombardisë, Roberto Formigoni, me presidentin Bamir Topi, kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli dhe kryeministrin Sali Berisha. Të tre zyrtarët e lartë të Tiranës morën prej Formigonit premtimin e sërishëm të Italisë për ta nxitur dhe mbështetur që në samitin e 2-4 prillit në Bukuresht anëtarësimin e Shqipërisë në NATO. Formigoni përsëriti “edhe një herë mbështetjen që Italia do t’i japë aspiratës së integrimit të Shqipërisë në NATO” dhe se shpresonte që “të ndodhë menjëherë në samitin e Bukureshtit, i cili do të mbahet në prill”. Kryetari i qeverisë, Berisha, tha se i jepte mbështetjen kandidaturës së Milanos për të organizuar ekspozitën universale më 2015. Ndërkaq, energjetika riktheu në kujtesë premtimet e Berishës për centrale bërthamore apo ujore. “Aktualisht qindra kompani italiane kanë ndërtuar projekte për të investuar në Shqipëri në fushën e energjisë të të gjitha llojeve, nga eolike në nukleare, hidrike dhe të gjitha format e saj”, - tha kryeministri. Ai shtoi se të njëjtat shkëmbime pikëpamjesh u bënë edhe për investime për parqe industriale, potencialin turistik dhe minerar të vendit. Më pas, në takimin me Topallin, Formigoni diskutoi për zgjerimin e marrëdhënieve mes të dy vendeve. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, kryeparlamentarja shqiptare vlerësoi vizitën e Formigonit si një rast shumë të mirë për të rishikuar dhe për të çuar përpara marrëdhëniet dypalëshe në të gjitha fushat. Duke u ndalur tek marrëdhëniet dypalëshe, Topalli vlerësoi si “shumë të rëndësishme rritjen e shkëmbimeve edhe në fusha të tjera me Lombardinë, meqë kjo është një nga rajonet më të rëndësishëm të Italisë”. Duke shtuar se po eksplorohen fushat më të rëndësishme për shkëmbimet tona tregtare. Presidenti Formigoni viziton Tiranën me ftesë të kryetares së Kuvendit. Por ai u prit gjithashtu nga presidenti Topi, i cili vlerësoi bashkëpunimin italo-shqiptar në kulturë, arsim, ekonomi, tregti, turizëm dhe ndarjen e përvojës, veçmas në decentralizimin e pushtetit vendor.