Hyr e dil nga grupi në grup
Deputeti Hamit Kosta ka bërë publik kalimin e tij në grupin parlamentar të Partisë Demokristiane. Gjatë një konference të përbashkët për shtyp me kryetarin e PDK-së, Nard Ndokën, deputeti Kosta deklaroi se “ky vendim vjen pas një periudhe të gjatë reflektimi dhe vlerësimi për partinë politike ku kam bërë pjesë dhe ato parti që kanë një program me sjellje të përshtatshme në vizionin tim,për shtetin dhe demokracinë”. Nga ana e tij, kryetari Ndoka përshëndeti vendimin e deputetit Kosta për t’iu bashkuar grupit demokristian dhe për të dhënë një kontribut politik edhe në strukturat drejtuese të kësaj partie. Lëvizjet e Kostës nga një grup parlamentar në tjetrin janë bërë disi të shpeshta. Kosta në fillim të legjislaturës ishte pjesë e Partisë Demokracia Sociale. Pak kohë më pas ai kaloi në grupin parlamentar të Partisë Socialiste. Pas votimit nga ana e tij në zgjedhjen e Presidentit të Republikës, në korrik të vitit të kaluar, ai u përjashtua nga PS-ja. Megjithatë, në fillim të këtij sesioni parlamentar ai regjistrohet si pjesë e grupit të PS-së. Por nuk pranohet nga kjo parti të marrë pjesë në aktivitet dhe angazhimet e saj politike. Kështu, në vijim të lëvizjeve të tij nga një grup në tjetrin, Kosta i bashkohet grupit të demokristianëve.