Presion i vogël
Rikthehen kërcënimet e vetos, referendumit dhe bllokimit të ndryshimeve për reformën zgjedhore. Të enjten, tryezë gjithëpartiake
“Të vegjlit” i rikthehen imponimit kundër “të mëdhenjve”. Kërcënojnë me përdorim të vetos, referendum dhe bllokim të miratimit të ndryshimeve nga “të mëdhenjtë” në Kuvend. Pas takimit me përfaqësuesit e OSBE-së dhe kërcënimit të Gramoz Ruçit se e drejta e vetos në komision “nuk do të pinte ujë” nëse të mëdhenjtë do t’i çonin propozimet në kuvend, “të vegjlit” shtrënguan dhëmbët, por u tërhoqën nga imponimi. Por kjo zgjati veç pak ditë, pasi dje rifilluan kërcënimet, që sipas tyre do të zyrtarizohen me një qëndrim të përbashkët nga të gjitha partitë e vogla ditën e enjte. “Të enjten do të ketë një tryezë të të gjitha partive të vogla. Do të orientojmë mbledhjen e komisionit zgjedhor, që qëndron i bllokuar që prej një viti. Nëse nuk do të pranohen kërkesat tona, do të vendosim veton, do përdorim referendumin dhe do të bllokojmë votimin e propozimeve në Kuvend”, - i tha dje “Korrierit” deputeti i LSI-së, Spartak Braho. Takimin e së enjtes, por edhe tonin e përdorur nga Braho e konfirmon edhe Neritan Ceka. Madje, kreu i PAD-së është edhe më i ashpër. “Ka një tryezë partish, e cila do të bëhet ditën e enjte. Marrin pjesë të gjitha partitë nënshkruese të sistemit gjerman proporcional të personalizuar, përveç PS-së e PD-së. Pas kësaj tryeze varet se çfarë do të bëjnë partitë e mëdha. Nëse partitë e mëdha do të bashkohen, edhe ne do të bashkohemi kundër partive të mëdha. Kemi vendosur të jemi unanimë për sistemin gjerman proporcional të personalizuar. Ndaj një sistemi “Haxhi Qamili” në shekullin XXI, natyrisht që do të vendosim veton”, - u shpreh Ceka për “Korrierin”. Ky i fundit megjithëse pak ditë më parë shprehej se “të vegjlit” nuk do ta përdornin veton e thjesht ndasi të vogla mund të zgjidheshin duke u ulur, sot rifillon kërcënimet bashkë me drejtuesit e tjerë të partive të vogla. Ashtu sikundër LSI-ja, edhe kreu i aleancistëve mendon se të mëdhenjtë nuk i kanë votat për të miratuar ndryshimet e kodit e të Kushtetutës, e po ashtu duket se i beson unanimitetit të “të vegjëlve” deri në fund. “Partitë e mëdha” mund ta kalojnë edhe në seancë plenare, dhe natyrisht nuk do t’i kenë votat. Vetëm do të kuptohet që në pragun e Bukureshtit, të gjithë këta politikanë kanë vënë helmetat për të “vrarë” shokët e tyre. Kanë votat vetëm për të vetëvrarë veten. Ju siguroj që nuk kanë asnjë votë për të kaluar lumin, që duan të kalojnë e t’i lënë të tjerët në bregun tjetër të lumit, vetëm do të mbyten me gjithë helmeta”, - deklaron prerazi presidenti i PAD-së. Gjithsesi, qëndrimi i përbashkët zyrtarizohet të enjten, ose të paktën kështu parashikohet. Megjithatë, është vënë re gjatë kësaj periudhe, se qëndrimet kanë ndryshuar dita-ditës. Ka pasur tërheqje, lëkundje nga qëndrimet e përbashkëta për pragun e sistemin. Pak ditë më parë Meta doli edhe me opsionin mazhoritar. Po ashtu, për pragun gjatë këtyre muajve ka pasur deklarata nga më të ndryshmet nga “parti të vogla”, pavarësisht se të gjithë kanë nënshkruar më herët një dokument të përbashkët. Ndërkaq, Sabri Godo i PR-së e përjashtoi mundësinë që të bënte të njëjtën gjë si LSI-ja tek e majta. saqellari@korrieri.com