E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha përshëndet vendet që kanë njohur pavarësinë e Kosovës

Kryeministri Sali Berisha përshëndeti dje të gjitha vendet që kanë njohur aktin e shpalljes së pavarësisë së Kosovës, më 17 shkurt. “Përshëndes të gjitha ato vende që kanë njohur Kosovën dhe që do ta njohin atë. Shteti i ri i Kosovës është ngritur mbi sakrificat mbinjerëzore dhe vlerat më të arrira. Dua të siguroj vendet mike të rajonit dhe vendet e tjera, se dy shqiptarë miq është më mirë se një shqiptar mik, e ka thënë Bajroni ‘miq si këta nuk ka’. Tani potencialet e një bashkëpunimi, frymëmarrje dhe kooperimi rajonal janë shumë më të mëdha”, theksoi Kryeministri, gjatë një mbledhje të qeverisë, të thirrur për të miratuar vendimin për ngritjen e marrëdhënieve Tiranë-Prishtinë, në nivel ambasadorësh. “ Kjo mbledhje, e shumëpritur për 17 vjet me radhë, do të vendosë lartësimin e marrëdhënieve diplomatike me Republikën e Kosovës, në rang ambasadorësh. Në emër të qeverisë shqiptare shfrytëzoj rastin për të përshëndetur përzemërsisht, vëllazërisht, të gjithë qytetarët e Kosovës, shqiptarë, serbë, turq, romë, malazezë, boshnjakë, të çfarëdo përkatësie, për festën dhe mënyrën se si ata e festuan pavarësinë e vendit të tyre”, tha Kryeministri Berisha, duke përshëndetur popullin e Kosovës për mënyrën e festimit të shpalljes së pavarësisë, më 17 shkurt. Duke vlerësuar kremtimin e kësaj dite të madhe nga qytetarët kosovarë, ai tha se “ajo ishte festa më madhështore, më e bukur, më qytetare, jo vetëm e Ballkanit, por ndoshta edhe Europa nuk e ka parë prej dekadash”. “Me mënyrën se si e festoi, pa asnjë incident, shoqëria kosovare dëshmoi se është një shoqëri e përkushtuar në vlerat e mëdha evropiane”, theksoi Berisha. “Me shpërthimin e entuziazmit qytetar të gëzimit, merrte fund një rrugëtim i mundimshëm 600 vjeçar i qytetarëve të Kosovës, për të dalë dhe për të zbarkuar në vendin e tyre të lirë, të pavarur. Dhe kjo, përcaktoi edhe përmasat e papara, të paimagjinuara të kësaj feste, e cila u dominua tërësisht nga simbolet europiane, duke filluar nga flamuri, i përzgjedhur aq bukur. Flamuri i Kosovës europiane, me hartën e Kosovës në kufijtë e saj ndërkombëtarë me yjet e bardha, për të përfaqësuar minoritetet, të bën për vete menjëherë”, vuri në dukje Berisha.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›