E Diel, 1 Nëntor 2026

Media dhe zelli për të komentuar qëndrimin serb

Pavarësia e Kosovës e bërë fakt tashmë falë vullnetit të Shteteve të Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimit Europian, është një ngjarje madhore që u arrit pas shumë vjet sakrificash e mundimesh. 17 shkurti i vitit 2008 do të kujtohet si finalja e përpjekjeve shumëvjeçare për arritjen e këtij objektivi. Pjesëmarrja masive e shqiptarëve në Shqipëri, Kosovë, diasporë e kudo në këto festime pati edhe pasqyrimin e medias vendase dhe asaj të huaj. Si një ngjarje me të vërtetë e veçantë, pavarësia e Kosovës zuri vend të merituar në media. Si dukuri negative të këtij rasti padyshim mund të përmendim pasqyrimin e ngjarjeve që ndodhnin në Serbi nga disa media në Shqipëri edhe më shumë nga ç’jepnin stacione televizive ndërkombëtare. Ishte një rast i mirë që media shqiptare, në radhë të parë televizionet, të injoronin krejtësisht atë ç’ka ndodhte në parlamentin serb, në rrugët e Serbisë, në katundet serbe të Kosovës, në ndonjë manastir, etj. Ishte rasti pra që fjalët “perëndimore” të Tadiçit, fjalët “lindore” të ish-kandidatit Nikoliç, uratat e ndonjë murgu serb që fliste për trashëgiminë të injoroheshin tërësisht. Vëmendja e madhe treguar ndaj ngjarjeve në Serbi nga një grup i vogël mediesh, jo vetëm tregon mungesë profesionalizmi reflekton më së mirë ndjenja inferioriteti për të mos folur më për të tjera që nuk do të donim të ishin kështu.
Pasqyrimet nga Serbia nëpërmjet kanaleve televizive serbe, më së tepërmi mund të merren si perceptim i propagandës serbe, që ngado që ta marrësh është kurdoherë propagandë që pak i ngjan lajmit. Vajtimet serbe për Kosovën meritonin vetëm injorimin. Ky injorim ishte gjëja më e thjeshtë që mund të bënin disa televizione që u lidhën me Televizionin e Serbisë pa drojën më të vogël duke na transmetuar skena dhune jo larg skenave të çetnikëve të dikurshëm. Demokratizimi i Serbisë është një sfidë që i takon Serbisë dhe nuk i takon televizioneve nga Shqipëria. Vetë Serbia duhet të kuptojë tashmë se demokratizohet apo jo, Kosovës si shtet tjetër që është tashmë, nuk i intereson drejtpërdrejt. Trashëgimia serbomadhe e prirë nga ideologjitë primitive të akademikëve serbë, nuk mund të parashikohen sesa kohë do të zhbëhen. Së paku media në Shqipëri duhet të jetë e ndërgjegjshme se serbët në kohë të ndryshme kanë qenë jashtë mase propagandistë duke e hequr vetën edhe kur ishin agresorë si viktima.
Prandaj është e rëndësishme që media shqiptare të jetë e kujdesshme në perceptimin e lajmeve nga Serbia. Afër tyre është propaganda serbomadhe.
 Elton Begu

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›