Komisioni i Ligjeve, shqyrton disa ndryshime për ligjin “Për trajtimin e të dënuarve me burgim”
Komisioni parlamentar i Ligjeve zhvilloi dje, një seancë dëgjimore mbi projektligjin “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin nr. 8328, datë 02.04.1998, për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, të ndryshuar”. Në këtë seancë dëgjimore ishin të pranishëm, Avokati i Popullit, Emir Dobjani, Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Gazmend Dibra, përfaqësuesi i Komitetit Shqiptar të Helsinkit, Njazi Jaho, Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, si dhe përfaqësues e specialistë të kësaj fushe. Në prezantimin e këtij projektligji, kryetari i komisionit, Fatos Beja, u shpreh se “projektligji krijon sensibilitete të konsiderueshme në shoqërinë tonë, në drejtim të respektimit të të gjitha atyre standardeve europiane që Shqipëria i ka miratuar nëpërmjet ratifikimit të konventave ndërkombëtare të kësaj fushe”. “Me ndihmën edhe të përfaqësuesve të institucioneve që janë të interesuar për këtë projektligj, ne synojmë të arrijmë standardet maksimale që janë në këtë fushë”, deklaroi Beja. Projektligji “Për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin për të drejtat dhe trajtimet e të dënuarve me burgim” përbën një nismë të rëndësishme të Këshillit të Ministrave. Ai është hartuar duke mbajtur parasysh vetëm privimin e atyre të drejtave që nuk mund të ushtrohen nga të dënuarit, për shkak të dënimit me burgim, duke çliruar dispozitat e ligjit në fuqi nga ndërlikimet e shumta, të cilat ulin efikasitetin e zbatimit të tij në praktikë, në përputhje të plotë me standardet evropiane për të drejtat e njeriut, për personat që mbahen në burg. Nisur nga ky këndvështrim, projektligji parashikon procedura të sakta dhe të shpejta për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve, bazuar mbi të drejtat themelore të njeriut.
Alibeaj: Ndryshimet në ligj, reflektim për të arritur standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët/Ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, ka deklaruar dje se projektligji që diskutohet në komisionin e Ligjeve për trajtimin e të dënuarve, është reflektim dhe korrigjim i të gjitha pamundësive ligjore, për të arritur standardet e kërkuara nga ndërkombëtarët. Sipas tij projektligji synon të përmirësojë kushtet e të dënuarve dhe konceptimin e shërbimit të provës, që do të thotë se të dënuarit nuk janë qënie që duhet të rrinë të mbyllur brenda kafazeve të qelive, por duhet të integrohen dhe të riaftësohen profesionalisht dhe psikologjikisht për t'u përshtatur në shoqëri. “Ky ligj krijon strukturat përkatëse dhe shërbimet administrative, që janë të njohura kudo në sistemin e trajtimeve të të dënuarve në Europë”, nënvizoi Alibeaj. Ministri I drejtësisë theksoi se “ka pasur një situatë të deformuar deri më tani që të dënuarit trajtoheshin nga Drejtoria e Përgjithshme e Burgjeve, ndërkohë që të paraburgosurit trajtoheshin nga komisariatet e policis”. “Me këtë ligj krijohet përfundimisht trajtimi i të paraburgosurve në kushte shumë herë më të mira, që do të thotë se u krijohet akses më i madh me familjarët, akses më i madh me avokatët, akses me të gjitha institucionet monitoruese shtetërore, siç është Avokati i Popullit, në pritje të marrjes së dënimit, kur janë fajtorë”, tha ministri. Lidhur me ndryshimet që pëson ligji aktual, Alibeaj vuri në dukje se “ajo që është e re, është standardizimi i trajtimit të të dënuarve, gra dhe të mitur”. “Përfundimisht ndahen nga trajtimi i njëjtë që është bërë deri më tani, minorenët dhe të rriturit, apo gratë dhe meshkujt. Në bazë të ligjit të ri, të dënuarit do të kenë më tepër akses, duke filluar nga trajtimi ligjor i ndryshëm. Gjithashtu do të kenë përfitime shumë herë më të mëdha qoftë nga ana ligjore, po ashtu edhe nga ana financiare, sepse të dënuarit do t'i nënshtrohen shërbimit të provës, do të paguhen për atë punë që do të kryejnë dhe do të kenë përfitime të tjera në funksion të riintegrimit të tyre në shoqëri”, theksoi ndër të tjera Alibeaj.
Dobjani vlerëson iniciativën e qeverisë për të bërë rregullimet përkatëse/Avokati i Popullit, Ermir Dobjani, ka vlerësuar projektligjin e paraqitur nga qeveria për disa ndryshime dhe shtesa në ligjin ‘Për të drejtat dhe trajtimin e të dënuarve me burgim, të ndryshuar’. “Institucioni i Avokatit të Popullit, në përmbushje të të gjitha detyrave që ka si institucion që rrjedh nga Kushtetuta dhe nga ligjet përkatëse, e vlerëson iniciativën e qeverisë për të bërë rregullimet përkatëse në këtë ligj, pasi dihet që kanë kaluar thuajse 10 vjet nga hartimi i këtij ligji”, tha Dobjani. Në këtë drejtim, Avokati I Popullit Jetmir Dobjani vuri në dukje se “kanë ndodhur mjaft ndryshime, qoftë në kushtet e paraburgimit e po kështu edhe në burgje, si nga ana e infrastrukturës njëkohësisht edhe në monitorimin dhe inspektimin e tyre, ndaj dhe ishte domosdoshmëri ndryshimi i ligjit, në disa pika të tij”. Sipas tij, transferimi i të dënuarve në një burg të sigurisë së lartë duhet të bëhet me urdhër të Drejtorisë së Përgjithshme të Burgjeve, pasi vetëm ajo është organi kompetent për mbikëqyrjen e institucioneve të ekzekutimeve penale, si dhe ndjek dinamikën e rehabilitimit të të dënuarit. “Në çdo rast kur i dënuari nuk është dakord me këtë lëvizje, ai duhet të ankohet në gjykatën e vendit ku vuan dënimin, ose tek Avokati i Popullit”, shprehu Dobjani.