Liberalizohet plotësisht regjimi i vizave mes Shqipërisë dhe Maqedonisë
Ministri i Punëve të Jashtme, Lulzim Basha dhe homologu i tij maqedonas, Antonio Miloshovski, nënshkruan dje, në Tiranë, marrëveshjen për lëvizjen e ndërsjelltë të shtetasve midis Republikës së Shqipërisë dhe Republikës së Maqedonisë. Ceremonia e nënshkrimit të kësaj marrëveshje u pasua nga një konferencë e përbashkët për shtyp e Kryeministrit Sali Berisha dhe Kryeministrit të Maqedonisë, Nicola Gruevski. Kryeministri maqedonas, Nicola Gruevski, deklaroi gjatë një konference të përbashkët për shtyp me Kryeministrin Sali Berisha, se marrëveshja e nënshkruar për një regjim pa viza do të hyjë në fuqi sapo të ratifikohet nga parlamentet e dy vendeve tona, gjë që shpresoj se do të bëhet shumë shpejt. Nëse do të qëndrojë kjo marrëveshje në fuqi edhe pasi Maqedonia të marrë statusin e vendit kandidat për në BE, Gruevski u shpreh se “ç’do vend, kur hyn në anëtarësi me BE-në, i pranon të gjitha kriteret e anëtarit dhe ne na pret shumë punë dhe një bashkëpunim i madh i përbashkët”. Ndërsa Kryeministri Sali Berisha shprehu se “integrimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për procesin e integrimit të dy vendeve, që aspirojnë anëtarësimin në Bashkimin Europian dhe NATO”. Berisha theksoi se “dy vendet tona po punojnë në projekte të përbashkëta të integrimit në BE dhe në NATO, kemi mbështetur dhe do të mbështesin njeri-tjetrin, pasi këto janë projektet më të mira të vendeve tona në këtë shekull”. Duke përshëndetur progresin e Maqedonisë drejt integrimit europian dhe euroatlantik, Kryeministri Berisha deklaroi se “integrimi rajonal është jashtëzakonisht i rëndësishëm për këtë proces, ndaj dhe në takim u ra dakord që të ndërmerren hapa konkrete për një infrastrukturë tërësisht të re, që lidh dy vendet tona”. “Kryeministri Gruevski më informoi se qeveria e tij ka vendosur të ndërmarrë ndërtimin e Korridorit VIII në territorin e Maqedonisë. Shqipëria do të ndërmarrë menjëherë të njëjtat hapa. Të dy qeveritë ramë dakord të punojmë për linjën e re elektrike Tiranë-Shkup, e domosdoshme kjo për t’iu përgjigjur problemeve energjetike të vendeve tona dhe rajonit”, deklaroi Kryeministri Berisha. Duke konsideruar si një domosdoshmëri “lidhjen hekurudhore mes dy vendeve”, Kryeministri Berisha vuri në dukje se “kjo çështje do të shqyrtohet me përparësi”. Gjithashtu, Kreu i qeverisë shqiptare e konsideroi si mjaft me rëndësi “bashkimin më tej të forcave për shfrytëzimin dhe mbrojtjen e liqenit të Ohrit, një nga mrekullitë natyrore të planetit”. “Ne ramë dakord që të hapim pikën doganore në Xhepisht-Trebishtë. Unë i propozova Kryeministrit që kjo të jetë një pikë e përbashkët, siç po bëjmë në Muriqan me miqtë tanë malazezë dhe Kryeministri premtoi se do të shqyrtojë këtë model”, informoi Berisha. Duke u ndalur te naftësjellësi AMBO, Kryeministri Berisha u shpreh se “ne do të ndërmarrim hapa të përbashkëta pranë qeverisë amerikane për të kërkuar fuqizimin e mbështetjes së këtij projekti”. “Si për Shqipërinë dhe për Maqedoninë një rëndësi të madhe ka gazsjellësi transadriatik, i cili i përshkon vendet tona dhe ne do të lobojmë së bashku në favor të këtij gazsjellësi që është më ekonomik se çdo gazsjellës tjetër rajonal”, tha Kryeministri Berisha. Sipas tij, gjatë takimit është diskutuar për një seri çështjesh të tjera, me një vullnet të plotë për t’i zgjidhur me hapa konkrete ato. “Një nga këto ishte marrëveshja për vizat, për të cilën në faqet e disa mediave, që për fat të keq janë bastionet e fundit të flamujve të rreckosur të nacionalizmave të vjetra, bënë aq shumë zhurmë, por ne u lamë atyre zhurmën dhe nënshkruam marrëveshjen”, u shpreh Berisha. Kreu i qeverisë shqiptare vuri në dukje se “temë e rëndësishme e takimeve ishte edhe çështja e Kosovës dhe zhvillimet atje kanë mirëkuptim të plotë”. “Kryeministri më njohu me qëndrimin e qeverisë së Maqedonisë, e cila po bashkërendohet me qeverinë e SHBA-së dhe vendeve të mëdha të BE-së. I thashë se kjo është një gjë shumë e drejtë, atë bëra dhe unë. Sepse ne vendimet do t'i marrim bashkarisht, në koordinim me miqtë dhe aleatët, të cilët kanë investuar shumë për ndryshimin e këtij rajoni”, deklaroi Kryeministri Berisha. I pyetur lidhur me vendimin e Serbisë për tërheqjen e ambasadorëve, Kryeministri Berisha vlerësoi se “Beogradi po ecën kundër kohës”. “Duke mos dashur të ndërhyj në punët e tyre, por tërheqja e ambasadorëve nga vendet të cilat të ofrojnë miqësi, bashkëpunim, mbështetje për projektet më të mira të kombit serb për këtë shekull, është një veprim që bie ndesh me interesat më themelore të vendit"” deklaroi Berisha. Sipas tij, ambasadori i Republikës së Serbisë në Tiranë, po ushtron normalisht veprimtarinë e tij. “Nuk kam dijeni për dy orët e fundit, sepse kam qenë me mikun tim Gruevski. Cili do të jetë vendimi i Kryeministrit Koshtunica unë nuk e di, por çdo pakësim i marrëdhënieve, në një kohë kur ne jemi të gatshëm t’i intensifikojmë ato, nuk është veprim që popujt tanë presin”, deklaroi Kryeministri Berisha. Edhe Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli priti dje në një takim Kryeministrin e Maqedonisë Nikola Gruevski. Kryeparlamentarja vuri në dukje se vizita e kryeministrit maqedonas përkon me një moment historik në rajon, shpalljen e Pavarësisë së Kosovës, e cila po njihet me shpejtësi, duke filluar nga SHBA-ja, Franca, Britania, Italia e të tjerat me radhë. Duke nënvizuar marrëdhëniet shumë të mira mes dy vendeve dhe pasi vlerësoi marrëveshjen e liberalizimit të vizave, nënshkruar mes dy qeverive, Topalli u ndal edhe në një tjetër moment të rëndësishëm, siç është ai i marrjes së ftesës për anëtarësim në NATO. Pasi përgëzoi Gruevski për angazhimin e vendit të tij në plotësimin e standardeve të kërkuara për marrjen e kësaj ftese, Topalli e njohu atë me reformat më të fundit të ndërmarra në Shqipëri, duke veçuar reformën në drejtësi, e cila po realizohet në një klimë shumë të mirë bashkëpunimi. Biseda u ndal edhe në bashkëpunimin dy palësh, veçanërisht në fushat e energjisë, linjat e interkonjeksionit, ekonomia ujore, transporti, projekti AMBO, Korridori 8-të, e të tjerë. Nga ana e tij, Gruevski, u shpreh se “ashtu si edhe Shqipëria, Maqedonia është e fokusuar në reformat që lidhen me marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO, duke shpresuar se vendet e A3-shit do ta marrin këtë ftesë në Samitin e ardhshëm të Bukureshtit”. Gjithashtu, z. Gruevski përgëzoi për nënshkrimin e MSA-së Shqipëri-BE, duke ofruar bashkëpunim përmes përvojës së vendit të tij, si vend kandidat për t’u anëtarësuar në Bashkimin Europian. Kryeministri Gruevski shprehu mbështetjen e qartë të vendit të tij për paketën Ahtisari, duke theksuar marrëdhëniet shumë të mira politike dhe ekonomike të Maqedonisë me Kosovën. Bashkëbiseduesit ndanë mendimin se bashkëpunimi dy dhe shumë palësh në rajon është thelbësor, në interes të popujve dhe stabilitetit të qëndrueshëm.
Pavarësia e Kosovës - Maqedonia përcjell me vëmendje procesin/Kryeministri i Maqedonisë, Nicola Gruevski, deklaroi dje, se Maqedonia e përcjell me vëmendje procesin në Kosovë, duke pasur parasysh të gjitha karakteristikat që ka kjo Republikë si shtet multietnik, kandidat për në NATO dhe BE, dhe më tej ne do të vazhdojmë në lidhje me interesin tonë dhe në bashkëpunim me miqtë tanë. Lidhur me marrëdhëniet midis Maqedonisë e Kosovës, Gruevski u shpreh se “në periudhën e kaluar, ne kishim komunikim dhe relacion të mirë me qeverinë e përkohshme të Kosovës, kishim shkëmbim të madh tregtar dhe bashkëpunim të mirë midis bizneseve dhe kompanive”. “Ashtu siç thashë edhe në pjesën time të ekspozesë, ne po ndjekim me vëmendje gjendjen në Kosovë e Serbi dhe kuptohet do të vendosim në pajtim me interesat shtetërore të Republikës së Maqedonisë dhe në komunikim të drejtpërdrejtë me miqtë tanë europianë e të NATO-s”, deklaroi Gruevski. I pyetur nëse ka ndonjë plan konkret qeveria maqedonase për t’i ardhur në ndihmë shtetit më të ri të Europës, Gruevski u shpreh se “qeveria maqedonase ka formuar një trup koordinues, i cili do të na ndihmojë në lidhje me ngjarjet që ndodhën ditët e fundit, në lidhje me ballafaqimin e problemeve eventuale dhe që janë të rëndësishme për vendin tonë”. “Trupi koordinues mban seanca permanente dhe nëse paraqitet ndonjë çështje apo problem i hapur, do ta zgjidhim. Ju informoj se Maqedonia gjatë gjithë kohës e ka mbështetur planin e Presidentit Ahtisaari dhe ne presim që të fillojë të realizohet e veprojë ky plan, të cilin e pranoi edhe vetë Kosova”, shtoi më tej ai.
Berisha: Respektimi i marrëveshjes së Ohrit, stabilitet për Maqedoninë/Kryeministri Sali Berisha vlerësoi dje gjithë progresin e pamohueshëm të bërë nga autoritetet e vendit mik, Maqedonisë, për zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit.
Gjatë një konference të përbashkët për shtyp, me homologun maqedonas, Nicola Gruevski, Kryeministri Berisha u shpreh se “Marrëveshja e Ohrit është një dokument themelor, një marrëveshje paqeje dhe stabiliteti për Maqedoninë, për të cilën ne jemi thellësisht të interesuar”. “Rezultatet janë të prekshme dhe ato vetëm konsolidohen më tej. Ky është një proces dhe marrëveshja është në zbatim edhe me klauzola të tjera. Ajo që nuk mund të pranoj është ndërhyrja në një marrëveshje me instrumenta nacionalë, për një marrëveshje që është sa kombëtare, aq edhe ndërkombëtare. Por unë kam besim se autoritetet zyrtare të Maqedonisë, siç kanë dëshmuar deri tani angazhimin për konsolidimin e kësaj marrëveshje, do të vazhdojnë më tej me konkretizimin e saj”, vuri në dukje Berisha