Berisha, personaliteti i vetëm i politikës shqiptare që intervistohet nga BBC për emisionin “Hard Talk”
Kryeministri Berisha ishte dje në studiot e Qendrës Televizive të BBC në Londër, ku mori pjesë në emisionin prestigjioz të këtij kanali, “Hard Talk”. Kryeministri Berisha u intervistua nga gazetarja e njohur e BBC, zonja Sarah Montagnean, me ftesë speciale të kanalit BBC për emisionin e mirënjohur “Hard Talk”, duke qenë kështu personaliteti i vetëm i lartë politik shqiptar i cili intervistohet në këtë emision politik në tërë historinë e tij. Kjo intervistë, prej rreth 25 minutash, e cila do të transmetohet në valët e BBC World dhe BBC News 24, duke filluar nga dita e sotme për 5 edicione, u përqendrua në tema të rëndësishme për politikën e jashtme dhe të brendshme të Shqipërisë, në sfidat dhe arritjet e qeverisë shqiptare, si dhe në situatën rajonale dhe në marrjen e ftesës për anëtarësimin në NATO. Kryeministri Berisha theksoi rëndësinë e marrjes nga Shqipëria të ftesës për anëtarësim në NATO, duke u ndalur edhe në rëndësinë parësore që pati ndërhyrja ushtarake e NATO-s në konfliktin ballkanik të fundit të viteve ’90 për paqen dhe stabilitetin në rajon. Gazetarja e njohur e BBC, zonja Sarah Montagnean, nisur dhe nga lajmi më i fundit se në Maqedoni pritet të ketë një krizë qeveritare, u fokusua në përpjekjet e Maqedonisë për të marrë ftesën për anëtarësim. Kryeministri Berisha theksoi se është shumë e rëndësishme që Maqedonia, vend shumë i rëndësishëm për paqen dhe stabilitetin në rajon dhe e cila ka ndërmarrë reforma shumë të thella, të zgjidhë sa më shpejt çështjen e emrit mes saj dhe Greqisë, duke kaluar nëpër një proces dialogu të qartë dhe gjetjen e një zgjidhjeje të afërt. Bashkëbisedimi u ndal dhe në vazhdimin e reformave që Shqipëria ka ndërmarrë dhe që duhet të vazhdojë me vendosmëri, duke veçuar luftën kundër korrupsionit. Kryeministri Berisha theksoi se qeveria shqiptare sheh me përparësi vazhdimin e luftës kundër korrupsionit, dukuri që dikur ishte kthyer në sistem në Shqipëri, dukuri që ende ekziston në vend, por që sot po luftohet me vendosmëri dhe duke arritur rezultate të dukshme dhe të suksesshme. Më pas, gazetarja e BBC u ndal edhe në tragjedinë e Gërdecit. Lidhur me këtë, Kryeministri Berisha theksoi se ky shpërthim i rëndë i ndodhur në një fabrikë të demontimit të municioneve do të hetohet me një investigim të plotë nga autoritetet kompetente dhe se të gjitha përgjegjësitë do të bëhen të qarta me transparencë dhe vendosmëri. Kryeministri Berisha u shpreh se është në bindjen dhe sigurinë e tij se qeveria shqiptare do të vazhdojë me reformat për të realizuar projekte të tjera madhore për Shqipërinë siç është anëtarësimi në Bashkimin Evropian.