E Diel, 1 Nëntor 2026

Adamec-Topalli: Ftesa për në NATO, siguri dhe stabilitet për rritjen e investimeve çeke në Shqipëri

Kryetarja e Kuvendit Jozefina Topalli ka pritur dje në një takim, Kryetarin e Komisionit të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Tregtisë në Senatin e Republikës çeke, Ivan Adamec, i cili ndodhet për një vizitë zyrtare në Shqipëri. Gjatë takimit ai ka shprehur bindjen se ftesa për anëtarësim në NATO do të ndikojë në rritjen e investimeve në Shqipëri, pasi sipas tij, aty ky është NATO ka një faktor stabiliteti. Në takimin e zhvilluar sot me Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, z.Adamec vlerësoi si shumë pozitive reformat e ndërmarra nga qeveria shqiptare. Në takim u diskutua rreth rritjes së bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve dhe në këtë kuadër, znj. Topalli i njohu anëtarët e delegacionit të Senatit çek me ligjet kryesore të miratuara në Kuvend, duke u ndalur në ligjet bazë të reformës fiskale. “Jemi përpjekur që të krijojmë kushte sa më lehtësuese për biznesin, të shmangim burokracitë, si dhe kemi vendosur një taksë të sheshtë 10 përqind. Kjo klimë ka sjellë një rritje të shpejtë të investimeve në Shqipëri”, tha Topalli. Duke vlerësuar “se vendosja e taksës prej 10 përqind është një reformë kurajoze që Çekia ende nuk e ka arritur”, z. Adamec u shpreh se “qeveria dhe investitorët çekë janë shumë të interesuar të investojnë në tregun shqiptar, si edhe të marrin pjesë në privatizime në sektorë të ndryshëm, në energji, transport apo turizëm”. Gjatë takimit, kryeparlamentarja Topalli vlerësoi dinamizimin e shkëmbimeve të vizitave mes komisioneve parlamentare të dy vendeve, si dhe mbështetjen e Çekisë në proceset integruese të Shqipërisë, dhe konkretisht në marrjen e ftesës për anëtarësim në NATO dhe ratifikimin nga Senati çek i MSA-së. Në përfundim Kryetari i Komisionit të Ekonomisë, Bujqësisë dhe Tregtisë në Senatin e Republikës çeke, Ivan Adamec bëri të ditur se javën e ardhshme, Kryeministri çek, së bashku me një grup biznesmenësh, do të vijë në Shqipëri për të nënshkruar disa marrëveshje shumë të rëndësishme bashkëpunimi. “Rritja e nivelit të shkëmbimeve tregtare do të sillte edhe nevojën e një linje direkte fluturimi, që do të ndikonte në afrimin mes dy vendeve”, tha ndër të tjera Adamec.
Oketa-D’Elia: Objektivi kryesor i Shqipërisë është anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancë/Ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, priti të mërkurën në një takim Ambasadorin italian në Tiranë, Saba D’ Elia, i cili siguroi mbështetjen e Italisë për anëtarësimin e shpejtë të Shqipërisë, me të drejta të plota në NATO, bëri të ditur në një njoftim zyra e shtypit e kësaj ministrie. Pak ditë pas Samitit të Bukureshtit, ku Shqipëria mori ftesën e anëtarësimit, Ambasadori D’Elia tha se “ky vendim tregoi hapat që keni ndërmarrë dhe reformat që keni zhvilluar. Ne besojmë në potencialet e Shqipërisë në fushën e mbrojtjes dhe mbi këtë bazë kemi ngritur marrëdhënien tonë të bashkëpunimit”. Ministri Oketa u shpreh se “objektivi kryesor i Shqipërisë është anëtarësimi me të drejta të plota në Aleancë dhe për këtë kemi nevojë edhe për mbështetjen e një vendi mik, siç është Italia”. Ai vlerësoi ndihmën e madhe që Forcat e Armatosura Italiane kanë dhënë prej vitesh për FASH-in, ndërsa siguroi se bashkëpunimi ushtarak do të vijë duke u forcuar edhe më tej. “Ekziston vullneti i mirë që gjithë projektet e përbashkëta të përfundojnë jo vetëm me sukses, por edhe sa më shpejt”, tha ministri Oketa. Gjithashtu, ministri i Mbrojtjes, Gazmend Oketa, priti në një takim dhe Ambasadoren e Francës në Tiranë, znj. Maryse Daviet, e cila përcolli urimet për marrjen e ftesës së Shqipërisë për anëtarësim në NATO, si dhe bindjen për përmbushjen e detyrave të tjera që i dalin vendit tonë në të ardhmen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›