E Shtunë, 31 Tetor 2026

"Berisha po mban peng planin për Tiranën"

Kryetari i Partisë Socialiste denoncoi dje një sërë vendimesh të marra nga KRRTRSH-ja, duke konsideruar se pasuritë e vendit po plaçkiten nga një grusht njerëzish në qeveri. Duke bërë analizën e vetëm disa prej këtyre vendimeve, Rama tha se me vendimet e marra, ku reduktohet ndjeshëm hapësira publike, Kryeministri Berisha ka demonstruar paaftësinë dhe injorancën për çështjet urbanistike. Vëmendja e kryesocialistit u fokusua te plani i Tiranës, për të cilin ai u shpreh se është Sali Berisha që po e mban peng, edhe pse Berisha e ktheu këtë çështje në një prej strategjive të tij të fushatës elektorale, duke akuzuar kryebashkiakun se ka bllokuar planin rregullues. Sipas Ramës, mungesa e njohurive për urbanistikën e çon deri aty Kryeministrin, saqë do të ngrejë ndërtime në zonën e Vorës sa çereku i gjithë Tiranës. "Qysh në fund të vitit të shkuar, Sali Berisha mban në sirtar Planin e ri për Tiranën, i cili parasheh edhe perspektivën e zhvillimit të Tiranës metropol përtej kufijve të sotëm të saj", tha Rama. Ndërkohë, shtoi ai, qysh kur nuk mbahet mend, ky Kryeministër jo vetëm thellësisht i paditur në çështje të zhvillimit urban, po edhe tërësisht i prirur ndaj vendimmarrjeve me bazë korruptive për territorin, akuzon në tym Bashkinë e Tiranës sa herë hap gojën, e me një të rënë të lapsit vendos të ndërtojë në zonën e Vorës aq ndërtime sa çereku i gjithë Tiranës, në mungesë të çdo studimi e në kundërshtim flagrant me çdo logjikë zhvillimi ekonomik e social të hapësirës Tiranë-Durrës. Sipas Ramës, Berisha është fajtor edhe për hapësirat e gjelbra në Tiranë. Ai vuri në dukje se vetëm me një prej vendimeve të mbledhjes së fundit të KRRTRSH-së, Sali Berisha u mori kryeqytetasve 75 hektarë gjelbërim, duke e mbushur atë me ndërtime. Ministri i Transporteve Sokol Olldashi reagoi pas komunikimit mediatik të Ramës. "Kryekaragjozi i Bashkisë së Tiranës u shfaq sot përpara gazetarëve dhe lëshoi një lumë akuzash idiote mbi Këshillin e Rregullimit të Territorit të Republikës së Shqipërisë, për vendimet e marra nga ky i fundit në mbledhjen e djeshme", tha ai. Jam i detyruar, vijoi Olldashi, të dal përpara jush për të sqaruar se gjithçka tha Edi Rama është vetëm një mashtrim i paturpshëm, një maskaradë e fëlliqur, një përpjekje për të fshehur dështimin pas gënjeshtrave.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›