E Shtunë, 31 Tetor 2026

Rishfaqet vejusha e zezë, pickon një grua të moshuar

Rishfaqet vejusha e zezë në Berat, shënohet viktima e parë. Burime nga spitali rajonal i Beratit bëjnë të ditur se mesditën e së martës është paraqitur në urgjencën e spitalit një grua 70-vjeçare, e cila ishte pickuar nga merimanga e zezë. Viktima e insektit vdekjeprurës është shtetasja Zenepe Metani, banore e fshatit Moravë, 10 kilometra në perëndim të qytetit të Beratit. Sipas mjekëve të repartit të urgjencës, 70-vjeçarja u paraqit me shenja të dukshme klinike të pickimit nga insekti vdekjeprurës: temperaturë e lartë, këputje trupi, dhembje të kockave, të vjella, gjendje të fikti, etj. Ajo i është nënshtruar menjëherë mjekimit intensiv dhe pas disa orësh ka dalë nga gjendja kritike për jetën. Zenepe Metani vazhdon të qëndrojë dhe të marrë mjekime në repartin e patologjisë të spitalit të Beratit, duke shfaqur përmirësime të dukshme. Familjarë të saj treguan për gazetën se 70-vjeçarja ka qenë duke vjelë perime në bahçen e saj, disa dhjetëra metra larg shtëpisë kur është pickuar nga merimanga e zezë. Në një moment, ajo e ka ndjerë pickimin e fortë të insektit dhe ka thirrur për ndihmë të afërmit, duke u sqaruar se çfarë kishte ndodhur. Pas disa minutash ajo ka nisur të ndjejë efektet e pickimit dhe është dërguar me urgjencë në spital, ku fatmirësisht ka arritur në kohë. Ky është rasti i parë i pickimit nga "vejusha e zezë", në gjithë Qarkun e Beratit për këtë sezon. Ndërkohë, që në të njëjtën periudhë të vitit të kaluar u regjistruan plot 14 raste, nga të cilët njëri me pasojë vdekjen.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›