Durrës, aksidentet në rrugën e plazhit u marrin jetën dy të moshuarve
Pesë aksidente rrugore janë shënuar brenda një harku të shkurtër kohor, në Durrës dhe në Librazhd. Për pasojë dy të moshuar kanë gjetur vdekjen, ndërsa tetë persona kanë mbetur të plagosur, mes të cilëve një fëmijë 8 vjeç. Viktima e parë e aksidenteve është 73-vjeçari Daut Arifi. I moshuari ka qenë duke ecur në këmbë në aksin rrugor Ura e Dajlanit - Plepa, në afërsi të vendit të quajtur Rrota e Kuqe, në Plazhin e Durrësit, kur është aksidentuar nga një motoçikletë e tipit "Honda", që drejtohej nga 21-vjeçari Xhymert Karaboja. I moshuari ka ndërruar jetë në Spitalin Ushtarak në Tiranë, ndërsa autori i aksidentit është dorëzuar vetë në polici pak orë pas ngjarjes. Ndërkaq, dje, në orët e para të mëngjesit, një aksident tjetër me pasojë vdekjen e një 74-vjeçari ka ndodhur në zonën e plazhit. Viktima është Xhevat Nelaj, nga qyteti i Memaliajt, i cili kishte ardhur në qytetin bregdetar për të pushuar. Autori i aksidentit, 22-vjeçari Ermal Koka, gjithashtu pushues, u arrestua në vend nga policia. Në harkun kohor të 24 orëve, në Durrës janë shënuar dje edhe dy aksidente, ku për pasojë kanë mbetur të plagosur tre persona, mes të cilëve një fëmijë 8-vjeçar, i cili tentonte të kalonte rrugën. Vogëlushi me inicialet A.K. pasditen e vonë të së martës ka qenë duke kaluar rrugën në segmentin rrugor Rrushkull-Sukth, kur është përplasur nga një "Mercedes Benz" me targë DR4226C.
Një aksident tjetër i rëndë automobilistik ka ndodhur dje në aksin rrugor Librazhd-Peshkopi, në vendin e quajtur Tokëz. Si pasojë kanë mbetur të plagosur pesë persona, pjesëtarë të një familjeje. Shkak i aksidentit mësohet të ketë qenë dalja nga rruga dhe përmbysja e automjetit tip fuoristrada si rezultat i shpejtësisë së madhe. Si pasojë e aksidentit kanë mbetur të plagosur Petrit, Edi dhe Florian Koxha, si dhe Blerina e Besim Koxha, që udhëtonin në fuoristradën me targa të huaja M593JRK. Në gjendje më të rëndë shëndetësore nga të plagosurit paraqiten Petrit dhe Edi Koxha, të cilët po marrin mjekimet e nevojshme në spitalin e Elbasanit. Tre të plagosurit e tjerë janë shtruar në spitalin e Librazhdit.