E Diel, 1 Nëntor 2026

Vdekja e fëmijës, pesë mjekë nën hetim

Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet pas rastit të vdekjes së 5-vjeçarit Viktor Balliu nga fshati Leminot. Vdekja e vogëlushit në spitalin civil të Korçës nga pickimi i gjarprit dhe pretendimi i familjes për mjekim të pakujdesshëm ka ngritur në këmbë edhe organin hetimor në qytetin juglindor.

Vdekja e fëmijës së pickuar nga gjarpri jo vetëm do të jetë pjesë e një hetimi të gjerë ndaj bluzave të bardha, por pas verifikimeve paraprake të kryera në spital, pritet të çojë në ndëshkimin e ekipit të mjekëve në përbërje të të cilit janë dy kirurgë, një mjek reanimator dhe dy infermiere.

Një grup hetimor nga Prokuroria e Korçës ka nisur hetimet në spitalin civil për vdekjen e 5-vjeçarit Balliu, i cili ndërroi jetë pas pickimit të gjarprit në mungesë të trajtimit me një serum antivipera, i domosdoshëm për trajtimin e këtyre rasteve helmimesh.

Sipas burimeve zyrtare, nga verifikimi i dokumenteve rezultoi se mjekët e kanë kartelizuar medikamentin mes ilaçeve të tjera, por më pas pacientit të vogël nuk i është injektuar ky mjekim. Edhe vetë drejtoria e spitalit ka nisur një proces të plotë hetimor ku pritet të komunikohet edhe urdhri i pezullimit nga detyra për ekipin e mjekëve që ka trajtuar këtë rast.

Drejtori i spitalit rajonal të Korçës, Gjergji Denasi, bëri të ditur se masat ndaj mjekëve do të merren menjëherë pas nxjerrjes së konkluzioneve mbi përgjegjësitë e secilit prej tyre në këtë çështje. Denasi e ka konsideruar këtë rast si tepër të rëndë në kushtet kur spitali e dispononte serumin që mund të shpëtonte jetën e 5-vjeçarit. "Presim përfundimin e verifikimeve dhe analizave tona dhe shumë shpejt do të jepen masat për ekipin e mjekëve. Ndërkohë u kemi komunikuar zyrtarisht pezullimin nga puna", tha drejtori i spitalit.

Nga të dhënat paraprake rezultoi se një nga infermieret e reanimacionit nuk ka kryer kërkimin e medikamentit, duke thënë se ai nuk gjendej në farmacinë e spitalit. Edhe pse drejtuesit e spitalit nuk e kanë bërë të ditur emrin e infermieres që ka neglizhuar gjetjen e medikamentit dhe as mjekët që duket se kanë dalë në mbrojtje të saj, duke mos treguar emrin, ata thonë për komisionin hetimor se mjekut reanimator Ilir Milo, që ka bërë shënimin në kartelë, i është komunikuar mungesa e ilaçit.

Një ekip mjekësor, i përbërë prej dy kirurgësh, një reanimatori dhe dy infermiereve, është vënë nën hetim për vdekjen e Viktor Balliut. Burimet pranë spitalit bëjnë të ditur se bëhet fjalë për reanimatorin Ilir Milo dhe dy kirurgët Roland Cule dhe Vladimir Ballco. Ata janë thirrur për t‘u marrë në pyetje edhe nga drejtuesit e spitalit lidhur me shkaqet që sollën vdekjen e fëmijës në kushtet kur antidoti mund të ishte administruar.

Në një mbledhje urgjente që ka kaluar me shumë debate, drejtori i spitalit të Korçës, Gjergji Denasi, i ka komunikuar ekipit pezullimin nga puna deri në daljen e konkluzioneve për të marrë më pas një vendim zyrtar me shkrim për personat që do të penalizohen me pushimin nga puna. Sipas presidentit të Urdhrit të Mjekut, Robert Tomço, pritet të merren masa të rënda ndaj ekipit, pasi ai deklaron se fëmija mund të shpëtohej në rast se do të trajtohej me antivipera.

Prokuroria e Korçës ka marrë në dorë denoncimin nga ana e prindërve. Ata janë marrë në pyetje nga organi hetimor lidhur me momentin e shtrimit deri në tërheqjen e fëmijës në gjendje të vdekur nga spitali civil. Sipas organit të akuzës, të afërmit do të merren në pyetje se në çfarë kushtesh u është kërkuar blerja e ilaçit në farmacitë private, cili ka qenë mjeku që ka urdhëruar blerjen e medikamentit dhe si ka qenë trajtimi që nga momenti i shtrimit në spital. Sipas grupit hetimor do të ketë një ballafaqim mes prindërve dhe mjekëve për këtë rast. Një ekip specialistësh nga ministria pritet të mbërrijë për këtë çështje për të zbardhur shkaqet që çuan në vdekjen e 5-vjeçarit.

Reagimi

Askush nga stafi nuk shkoi në farmaci për të pyetur për antidotin

Urdhri i Mjekut: Është

evidente që mjekët kanë faj

Presidenti i Urdhrit të Mjekut, Robert Tomço, ka vënë gishtin mbi fajtorët, duke thënë se përgjegjësia për vdekjen e fëmijës është e mjekëve të personelit të mesëm. "Ka përgjegjësi në radhët e mjekëve për vdekjen e fëmijës. Në rast se do të kryhej në kohë ndërhyrja me serumin antivipera, vogëlushi do të kishte shpëtuar. Ky është një rast shumë i rëndë që fajëson mjekët dhe kryesisht ata të personelit të mesëm, pasi nga verifikimet që kam kryer dhe nga kontaktet me farmacinë, asnjë nuk është interesuar pranë farmacisë së spitalit për këtë serum. Kam pasur kontakte me farmacinë dhe më është bërë e ditur se serumi ka qenë në frigorifer dhe se nuk është pyetur në rast se ka gjendje apo jo. Edhe në kushtet kur infermierja nuk e ka administruar nga farmacia, pasi është kërkuar nga mjeku reanimator serumi, them se mjekët janë përgjegjës, pasi duhet të interesoheshin vetë duke parë gjendjen e fëmijës", është shprehur Tomço. Më tej ai theksoi se, pavarësisht nga hetimet e prokurorisë, edhe në rast se nuk ka një shkelje ligjore, ekziston shkelja morale. "Në këto kushte si Urdhër Mjeku që kemi në dorë pezullimin pas kryerjes së të gjitha procedurave do të marrim masa ndaj ekipit", ka thënë Tomço.

Hetimi

Prokuroria, në

farmacinë e spitalit

Grupi hetimor i ngritur për vdekjen e vogëlushit Viktor Balliu ka qëndruar për disa orë në mjediset e spitalit. Mësohet se ata kanë marrë në pyetje ekipin e mjekëve lidhur me mungesën e trajtimit të fëmijës me serumin antivipera dhe personelin e farmacisë në të cilën disponohet medikamenti. Nga komunikimi me përgjegjësen e farmacisë, ajo është shprehur edhe para grupit hetimor se nuk i është kërkuar medikamenti, edhe pse ai gjendet në farmaci. Serumi antivipera është gjetur në farmacinë e spitalit, i depozituar në frigorifer, ndërkohë që sipas shkresave, furnizimi me këtë preparat është kryer shumë kohë më parë. Kjo do të thotë se spitali e dispononte prej shumë kohësh dhe nuk kishte mungesë të tij. Sipas një shkrese zyrtare, serumi antivipera është depozituar në vitin 2007 dhe kishte afat skadence deri në vitin 2010. Grupi hetimor po heton se përse ky preparat nuk është tërhequr në farmaci nga mjekët dhe infermieret e reanimacionit.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›