E Shtunë, 31 Tetor 2026

Topi: Të hapen dosjet, për ligjin flas nëpërmjet dekretit

 

Pak orë përpara votimit në Kuvend, pjesë e debateve për ligjin e Dosjeve u bë edhe Presidenti Bamir Topi. Në përfundim të një ceremonie në Qendrën e të Moshuarve, kreu i shtetit u shpreh se ai do të flasë në momentin, që ligji do t'i shkojë për dekretim. "Për të folur si President pastaj, si President unë flas nëpërmjet dekretit", u shpreh Topi. Por duke folur si politikan, ai u shpreh se të gjithë zyrtarët, që duan të bëjnë karrierë, duhet të kenë të radhë të parë pastërtinë morale. "Unë në natyrën time, nuk bëj koment mbi komente, por duke qenë gjithmonë në një pozicion respekti ndaj medias dhe transparencës publike, do të bëja thirrje që t'i ktheheni arshivës. Secila nga mediat ka arkivin e vet dhe aty do të gjeni të gjitha deklaratat e mia, përsa i përket çështjes së dosjeve. Në rast se do të më pyesnit si politikan, gjithmonë kam qenë i hapur për ta parë këtë çështje sa më shpejt, në mënyrë sa më profesionale, në mënyrë sa më të gjerë, sa më komplekse dhe natyrisht, që ai që kërkon të bëjë karrierë, natyrisht që ka disa detyrime parësore dhe kjo në radhë të parë ka të bëjë me pastërtinë morale", u shpreh kreu i shtetit. Dy vjet më parë, në cilësinë e kryetarit të grupit parlamentar të Partisë Demokratike, Bamir Topi dërgoi në Kuvend me firmën e tij një propozim të maxhorancës për hapjen e dosjeve. Në atë kohë qëndrimi i Topit ka qenë i njëjtë përsa i përket zyrtarëve të lartë me dosje që janë ende në politikë. "Në rast se ka persona me dosje, është e detyrueshme të pastrohet dhe është e detyrueshme, që të mos jetë në vendimmarrje. Edhe nëse ka në qeveri duhet të dalin nga qeveria", ka deklaruar ish-kreu i grupit parlamentar të maxhorancës në vitin 2006. Pas miratimit të mbrëmshëm në Parlament vëmendja kryesore do të jetë pikërisht te kreu i shtetit, i cili brenda një periudhe prej 20 ditësh nga dita e paraqitjes së ligjit, do të vendosë nëse do ta dekretojë apo do ta kthejë në Parlament. Por në të njëjtën kohë Topi mund të lërë miratimin në heshtje të tij, duke ia lënë fjalën e fundit pikërisht Gjykatës Kushtetuese, nëse ligji do të ankimohet në këtë institucion.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›