Berisha pranon krizën dhe uljen e shpenzimeve
Pas disa muajsh negociatash, ekspertët e Ministrisë së Financave duket se e bindën Kryeministrin Sali Berisha të pranojë realitetin ekonomik të vendit dhe të pranojë uljen e shpenzimeve buxhetore të programuara për vitin 2010. Ulja e miratuar nga qeveria është vetëm sa gjysma e asaj të kërkuar nga ekspertët. Kryeministri mbështeti për herë të parë publikisht kërkesën e ekspertëve për shlyer kredinë e marrë vitin e kaluar para kohe, me qëllim që të shpëtohet vendi nga vështirësi të mëdha financiare, që mund të krijohen në vitin 2012. Berisha tentoi gjithashtu të minimizojë problemet e krijuara në buxhetin e shtetit, duke premtuar projekte të reja infrastrukturore, si dhe duke urdhëruar ministrin e Transporteve për “rrugët që duhet të ndërtojë”.
“Ky vendim kërkon që shpenzimet të zvogëlohen me 20 për qind. Kjo është e domosdoshme për të pasur një stabilitet makroekonomik të garantuar, por edhe për të pasur një reputacion europian e botëror të domosdoshëm për besimin e investitorëve nga mbarë bota”, deklaroi Kryeministri dje, ndërsa qeveria miratoi një program që “ngrin” rreth 25 miliardë lekë shpenzime nga buxheti i vitit 2010. Ekspertët e Ministrisë së Financave patën këshilluar uljen e shpenzimeve me 40 miliardë lekë, duke argumentuar se edhe ulja me 40 miliardë bazohej në supozimin se ekonomia do të rimëkëmbet.
“...Shpenzimet do të rrudhen, sepse ne na duhet të adoptojmë një politikë agresive në uljen e borxhit publik të vendit. Kjo sjell, në mënyrë të vetvetishme, inkurajim më të madh të investitorëve të huaj dhe përmirësim të sigurt të rating-ut. Ndonëse fatkeqësia është se ata që vlerësojnë janë vetë për t’u vlerësuar, por kjo është jashtë mundësisë së kësaj qeverie. Kështu që sërish gjykatësi mbetet po ai. Mirëpo rating-u i tyre ka shumë rëndësi. Në vlerësimin e performancës ata e kanë borxhin publik një nga kriteret më të rëndësishme për vende si ne”, tha Kryeministri.
Në muajin mars në Shqipëri pritet të mbërrijnë ekspertët e agjencisë ndërkombëtare të vlerësimit, “Moody’s”. Sipas ekspertëve të financave, ka pak shpresë që agjencia të japë një vlerësim pozitiv për qeverinë shqiptare. Vlerësimi i “Moody’s” do të jetë përcaktues në suksesin apo dështimin e emetimit të eurobondeve me vlerë 300 milionë euro që qeveria shqiptare beson se do t’i emetojë në muajin maj.
Buxheti, në gjendje të mjerëNuk është më sekret për askënd që financat publike në Shqipëri janë në gjendje të mjerë dhe se situata vijon të përkeqësohet. Qeveria shqiptare gjatë muajve të fundit nuk ka qenë në gjendje të mbledhë të ardhura të mjaftueshme nga taksat për të mbuluar shpenzimet e veta të domosdoshme për paga, pensione e shërbim borxhi publik. Gjatë muajit janar, qeveria iu drejtua Bankës së Shqipërisë për kredi direkte, gjë që do të thotë se buxheti po financohet me para të prera rishtas. Banka e Shqipërisë mund ta financojë në një masë të kufizuar qeverinë në mënyrë direkte dhe gjatë vitit të fundit i ka thënë disa herë “jo” qeverisë për huadhënie të mëtejshme. Tani qeveria shpreson që ekonomia do të përmirësohet shpejt dhe të ardhurat fiskale do të rikthehen te rritja, por një situatë e tillë ka pak gjasa të japë vlerësim pozitiv nga “Moody’s”.
“Do të ketë shkurtim të shpenzimeve pa prekur fushat prioritare”, deklaroi Berisha dje. “Zoti Nezir (Nezir Haldeta, zëvendësministër i Financave dhe ish-drejtor i Thesarit), e kam lexuar materialin që keni sjellë ju. Unë bisedova me ministrin dhe ajo politikë është e paprekshme. Shpenzimet do të ulen në masën e parashikuar”, shtoi Berisha.
Nuk ka para, por ka projekteNdërsa pranoi pjesërisht realitetin fiskal të krijuar në Shqipëri gjatë muajve të fundit, Kryeministri Berisha u përpoq ta minimizojë problemin. “Do të vijojmë të investojmë, ky është viti i projekteve të mëdha”, deklaroi Berisha, duke premtuar për të disatën herë rrugën Tiranë-Elbasan me tunel, rrugën Tiranë-Dibër me tunel, apo rrugën Berat-Tepelenë. Sipas qeverisë, përgatitja e projekteve për këto rrugë “është duke përfunduar”.
A është vonëQeveria shqiptare u përball me pasojat e krizës botërore për herë të parë në tetor të vitit 2008, kur të ardhurat nga doganat ranë për arsyen e thjeshtë se çmimet e mallrave në treg ndërkombëtar u ulën. Që nga fillimi i krizës e deri tani kanë kaluar pesëmbëdhjetë muaj. Qeveria ka hedhur disa hapa të parëndësishëm në rritjen e të ardhurave përmes rritjes së taksave, ndërsa është përpjekur vazhdimisht të punojë fshehtas qytetarëve të vet. Ndërhyrja konkrete në uljen e shpenzimeve vjen në një kohë kur e gjithë mundësia për të marrë hua është ezauruar, ndërsa ulja e shpenzimeve sërish bëhet gati dy herë më pak nga sa kishin shpresuar ekspertët e financave.
#