E Shtunë, 31 Tetor 2026

Presidenca: Berisha dhe Rama janë betuar të vazhdojnë dialogun

Topi, i pakënaqur nga “helmimi” i klimës Delegacioni i KiE-s, përpjekja finale

Kreu i shtetit, Bamir Topi, ka bërë të ditur se negociatat mes Berishës dhe Ramës jo vetëm nuk kanë ngecur, por palët janë angazhuar publikisht dhe do të ecin përpara drejt zgjidhjes. Në një deklaratë të zyrës së shtypit të Presidencës, edhe pse nuk bëhet e ditur se është arritur ndonjë marrëveshje apo është afër një e tillë, bëhet e ditur se bisedimet ende janë në fillimin e tyre. Duke marrë shkas nga komentet e medias, zyra për shtyp e Presidentit thekson se “konsultimet po zhvillohen në një linjë mjaft korrekte. Kryetari i shtetit ka dëgjuar palët për konvergimin e qëndrimeve të tyre, sikurse është vendosur në tryezën e ditës së shtunë. Nuk ka pasur asnjë lloj propozimi konkret në takime, e për këtë arsye nuk ka pasur as kontestime.

Palët janë shprehur dukshëm të vendosura të ndjekin rrugën e dialogut të iniciuar nga Presidenti i Republikës, i cili nga ana e tij është i angazhuar institucionalisht e personalisht të kërkojë e të gjejë pikëtakimet mes mazhorancës e opozitës”. Nga burime rilevante bëhet e ditur se Presidenti Topi ka shprehur pakënaqësinë e tij me qëndrimin e krerëve të PD-së dhe PS-së në ofrimin e lajmeve apo skenarëve dhe deklaratat politike, që nuk bëjnë gjë tjetër veçse “helmojnë” klimën e negociatave. Në fakt, nga dy selitë përkatëse po lëshohen deklarata të egra që minojnë mundësinë e një marrëveshjeje. Ndërkaq, pritet që në këto ditë të ketë një zhvillim të ri pas takimeve që Presidenti i Republikës, Bamir Topi, do të zhvillojë në Zagreb me komisionerin europian për Zgjerimin, Stefan Fule, dhe nënsekretarin e Shtetit të SHBA-së, Xhekob Lju. Mesazhet që do të dalin nga këto takime do të jenë shumë të rëndësishme për vazhdimin e negociatave. Ndërkaq, javën e ardhshme mbërrin në Tiranë delegacioni i zgjeruar i Asamblesë Parlamentare i Këshillit të Europës, i cili sipas të gjitha gjasave do të dalë me një deklaratë të përbashkët me Presidentin e Republikës, që bisedimet mes Berishës dhe Ramës do të vazhdojnë apo kanë dështuar. Një burim diplomatik theksoi për “Shqip” se kreu i mazhorancës po bën të gjitha përpjekjet që ta shtyjë situatën deri më 4 mars, kur pritet që disa deputetë të PS-së të hyjnë në Kuvend, situatë që mund të trondiste ekuilibrat brenda opozitës. Por komuniteti ndërkombëtar do ta mbyllë gjithçka javën e ardhshme. Sipas axhendës së përcaktuar, delegacioni i KiE-së do të ketë takime të ndara me Kryeministrin Berisha dhe liderin e opozitës, Edi Rama, dhe nëse këto bisedime do të jenë të suksesshme, atëherë në prani të tyre do të firmoset marrëveshja. Nëse nuk ndodh, gjasat janë për një deklaratë të ashpër që do të ndëshkonte rëndë kryesisht qeverinë, por edhe palën tjetër në proces, Partinë Socialiste. “është e vërtetë që secila kërkon të marrë optimumin nga maksimumi, por durimi i shqiptarëve po tretet bashkë me atë të komunitetit ndërkombëtar”, theksoi dje një diplomat i rëndësishëm i akredituar në Tiranë.

#

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›