Kërkohej për trafik droge, pranga pasanikes shqiptare
Tre persona të dënuar për trafik droge, mes të cilëve edhe një femër, janë arrestuar gjatë një operacioni në Tiranë. Të arrestuarit janë dënuar në Gjermani, Itali dhe Shqipëri, për trafik droge dhe pjesëmarrje në organizata kriminale. Sipas të dhënave, një prej tyre është turk, i cili jetonte në Shqipëri dhe kërkohej në Gjermani, ndërsa më e veçanta është një grua, e cila është dënuar me 14 vjet burg në Itali. Burimet zyrtare nga Policia e Shtetit bënë të ditur se dje, nga Drejtoria Kundër Krimit të Organizuar në Departamentin e Hetimit të Krimit, në bashkëpunim me Interpol Tiranën dhe Drejtorinë e Policisë së Qarkut Tiranë, është bërë i mundur arrestimi i tre personave.
Arrestimi i turkutFillimisht është kapur Muhamet Omer GÖK, 29 vjeç, lindur në Biberach, Gjermani, me kombësi turke dhe shtetësi gjermane. Arrestimi i tij është kryer pas një bashkëpunimi intensiv me Interpol Wiesbaden për identifikimin dhe lokalizimin e shtetasit Muhamet GÖK, të shpallur në kërkim ndërkombëtar. Sipas policisë, prej pak kohësh ai fshihej në Tiranë, ku është kapur dje. Ky person akuzohet për veprën penale të “trafikimit të lëndëve narkotike”, pasi në periudhën janar 2005-tetor 2005, në 11 raste ka transportuar gjithsej 21 kg kanabis sativa nga Holanda në drejtim të Republikës Federale të Gjermanisë. Arrestimi i tij u bë në bazë të nenit 495 të Kodit të Procedurës Penale dhe materialet në ngarkim të tij iu kaluan Prokurorisë së Rrethit Tiranë dhe Ministrisë së Drejtësisë.
Femra trafikantePo ashtu, nga strukturat e Drejtorisë së Policisë së Qarkut Tiranë është bërë i mundur ekzekutimi i masës së sigurisë “arrest në burg”, e caktuar nga Gjykata e Rrethit Gjyqësor Tiranë, për shtetasen Doriana Agim Brika, 33 vjeçe, lindur dhe banuese në Tiranë. Masa e sigurisë është vendosur në kuadër të njohjes së vendimit penal të Gjykatës së Apelit në Milano, Itali, datë 14 korrik 2004, duke e dënuar Doriana Brikën, me 14 vjet burg për veprën penale të “pjesëmarrjes në organizatë kriminale, me qëllim trafikimin e lëndëve narkotike”, si dhe për “trafikim të lëndëve narkotike”. Sipas të dhënave policore, prej disa ditësh, ajo ishte në vëzhgim. Pikërisht më 30 janar, gjykata kishte vendosur masën e sigurisë për të, por është pritur realizimi i disa procedurave për kapjen e saj. Burimet policore shpjeguan se ajo u kap në një vilë luksoze në zonën e Tiranës së Re, që është banesa e saj. Policia tha se në Shqipëri ajo nuk ka pasur asnjë precedent penal dhe është dashur një punë shumë e gjatë për identifikimin e saj. Tashmë, me ligjin e ri për “Antimafien”, ajo mund të rrezikojë edhe pasurinë e saj, siç është edhe vila luksoze. Nga të dhënat e policisë italiane, ajo ishte larguar nga Italia, që në momentin që ishte shkatërruar grupi me të cilin bashkëpunonte.
Kapja e shkodranitGjithashtu, veç dy personave të lartpërmendur në prangat e policisë ka përfunduar edhe një shkodran i kërkuar për drogë. Nga sektori i operacioneve speciale dhe kërkimit, sektori kundër krimit të organizuar, në bashkëpunim me strukturat e tjera të Komisariatit të Policisë Shkodër, rreth orës 14.00 u bë i mundur arrestimi i shtetasit të shpallur në kërkim, Sokol Pal Pjollaj, 19 vjeç, lindur në fshatin Dajç të Shkodrës dhe banues në Shkodër. Arrestimi i këtij personi u bë, pasi Gjykata e Rrethit Gjyqësor Shkodër, me vendimin penal nr. 242, datë 27 qershor 2009, e ka dënuar me 6 vjet burg për veprën penale “prodhim dhe shitje të narkotikëve në bashkëpunim”. Materialet në ngarkim të tij i kaluan Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor.
#