E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha premton finalizimin e 320 projekteve për rrugë

Tiranë, 30 korrik - Kryeministri Sali Berisha në mbledhjen e Komitetit për Zhvillimin e Rajoneve ka premtuar se qeveria e tij do të finalizojë rreth 320 projekte të reja rrugësh, nga Saranda e deri në Tropojë. Këto projekte janë pjesë e 17 mijë kilometrave rrugë të premtuara për tu shtruar.

“Janë mbi 320 projekte në rrugët e vendit, nga Saranda në Tropojë që do të finalizohen. Jemi zotuar për 17 mijë kilometra rrugë. Projektet janë në bashki dhe komuna dhe financohen nga një fond i veçantë”, u shpreh Berisha .

Sipas tij, në projektet për rrugët do të përfshihen si bashkitë ashtu edhe komunat, “nga qarku i Kukësit në qarkun e Gjirokastrës”, ndërsa shtoi se këto rrugë “janë me impakt të madh për qarqet. Janë rrugë për të cilat qeveria ka punuar për 3-4 vjet”.

Ndër të tjera, kryeministri theksoi se këtë vit gama e investimeve do të jetë më e gjerë, pasi sipas tij 40 për qind e popullsisë jeton në fshat. Në këtë mbledhje u fol për më shumë investime në të gjithë sektorët, ndërsa kryeministri vuri theksin tek financimet në rritje për fermerët.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›