Nafta D2 pushton tregun e hidrokarbureve, IQT certifikon D2 për D1
Tregu shqiptar i karburanteve ka rënë preh e abuzimeve me cilësinë e mallit që shitet. Përveç rritjes së çmimit me disa lekë për litër brenda pak ditëve një tjetër problem që prek jo vetëm konsumatorët por edhe kompanitë e tregtimit ta karburanteve është cilësia e tyre.
Subjekte të ndryshme të importit të naftës importojnë naftë D2 dhe pasi e certifikojnë tek Inspektoriati Qendror Teknik si D1, e zhdoganojnë dhe e hedhin në treg si naftë D1. Kompanitë importuese paraqesin dokumentacion të plotë në doganë për zhdoganimin e naftës me plumb D2, të certifikuar si naftë D1. I gjithë dokumentacioni kalon më parë në Inspektoratin Qendror Teknik, i cili përkundër denoncimit të shkeljeve të tilla, e ligjëron vetë këtë abuzim me hidrokarburet. Hyrja e sasive të mëdha në naftës gjatë muajve të fundit në tregun tonë nga importi, vërtetohet edhe nga shifrat e publikuara nga doganat, të cilat kanë shënuar rekorde në zhdoganimin e naftës.
Skema
Burime të besueshme konfirmojnë se subjekte të importimit të karburanteve, kanë nisur një revansh importi të naftës D2 në tregun shqiptar të hidrokarbureve. Hyrja e naftës D2 është ndaluar me ligj që me 1 janar të këtij viti. Por disa kompani importi kanë gjetur tjetër shteg për kalimin e këtij produkti dhe tregtimin e tij në vend, nëpërmjet manipulimit dhe korruptimit të institucionit kontrollues të tyre në treg, IQT. Ky inspektorat, i lidhur me importuesit, e certifikon naftën D2 me parametrat e D1. Çmimi i naftës D2 në tregjet ndërkombëtare është disa pikë më pak se ajo i D1, ndërkohë që përveç fitimit që sigurojnë kompanitë që e tregtojnë, nga ana tjetër shkatërrojnë dhe kompanitë e tjera të të njëjtit treg, të cilat nuk pranojnë të përzihen në të tilla afera ku janë përlyer drejtpërdrejt institucionet shtetërore. por ata që preken nga abuzime të tilla janë dhe vetë qytetarët, të cilët edhe pse kërkojnë naftë cilësore D1, në serbratorin e mjetit të tyre hidhet D2. Një tjetër problem që shkakton ky lloj produkti është dhe ndotja e madhe në ambient, e cila ka arritur mbi 10 fishin e normave të lejuara nga BE. Për rregullimin e cilësisë dhe çmimit të karburanteve, është pikërisht IQT mekanizmi shtetëror përgjegjës, por duket se drejtuesit e këtij të fundit janë përfshirë drejtpërdrejt në këtë abuzim me kosto të pallogaritshme.
Ligji, ndalohet tregtimi i naftës D2 në treg
Duke nisur nga 1 janari 2010, është ndaluar përdorimi për automjete i naftës D2 në tregun shqiptar, për shkak të përmbajtjes së lartë të squfurit (mbi 1500 mg/kg) me objektivin që më 1 janar 2012 në Shqipëri të mos përdoret gazoil me përmbajtje më shumë se 10mg/kg. Ky është një detyrim i MSA-së dhe i Traktatit të Komunitetit të Energjisë. Por sipas një vendimi të miratuar dje nga qeveria. Sipas vendimit, çmimi i shumicës do të jetë i orientuar nga kostoja dhe niveli i çmimit të D2 në tregun rajonal. Nga data 1 janar i vitit 2010, nuk do të ketë më naftë D2 në qarkullim. "Në tregun shqiptar vinte kryesisht naftë D2 dhe shumë pak naftë D1. Shqiptarët nuk kanë pse të dënohen me squfur. Shqipëria sot, ndonëse nuk ka dalë nga problemet, nuk është kurrë ajo që ka qenë më parë. Prandaj ne kemi marrë një vendim shumë të drejtë. Kemi bërë një diferencim midis prodhimit vendas dhe atij të importit, por këtë e kemi bërë sepse çdo shtet, në një mënyrë apo tjetër, përpiqet të nxisë prodhimin vendas. Dhe kjo vetëm për një vit. Përtej 1 janarit 2010, në përputhje me vendimin nuk do të ketë në treg as edhe një litër naftë D2 në Shqipëri", është shprehur kreu i qeverisë, Sali Berisha. Sipas të dhënave zyrtare nga Ministria e Energjetikës, konsumi mesatar vjetor i produkteve të naftës është 420 mijë tonë, nga ku 340 mijë tonë janë nga importi dhe vetëm 80 mijë tonë prodhohen në vend. Ndërsa rreth 120 mijë tonë nga nafta e importuar janë naftë D1 dhe pjesa tjetër është naftë D2, e cila njihet si naftë e cilësisë së dobët dhe që përmban elementë ndotës. Kjo, pasi nafta D2 ka një përqindje squfuri nga 300 deri në mbi 2000 miligramë, përveç produkteve të tjera hekzogene
Rritet çmimi i naftës
Çmimi naftës në vendin tonë pëson një tjetër rritje brenda pak javëve. Ndërkohë që edhe në botë kjo javë u mbyll me një rritje të naftës bruto. Kështu gjatë kësaj jave nafta në botë pati një rritje të ndjeshme të çmimit dhe një fuçi naftë u shkëmbye me mbi 85 dollarë. Ndërsa çmimi i naftës në vendin tonë ka shkuar në 142 lekë nga 138 që ka qenë para disa javësh. Arsyeja mendohet sipas specialistëve se mund të jetë rritja e kërkesës nga konsumatorët si dhe forcimi i dollarit ndaj euros. Nafta në vendin tonë ka pasur një çmim mjaft të qëndrueshëm për një kohë të gjatë dhe që prej disa javëve ajo ka pësuar rritje të vazhdueshme të çmimit. Ndërkohë rritja e çmimit në botë shpjegohet gjithashtu me faktin e rritjes së vlerës së dollarit amerikan kundrejt monedhës evropiane duke qenë se dollari është monedha në të cilën kryhet shkëmbimi i naftës. Specialistët e shohin këtë rritje të çmimit dhe në një aspekt pozitiv pasi sipas tyre kjo tregon që ekonomia botërore po rimëkëmbet dhe kjo po ndikon edhe në rritjen e çmimit të naftës në përgjithësi.
Paralajmërimi
Rritja e çmimeve qe paralajmëruar që më herët nga Shoqata Kombëtare e Hidrokarbureve, e cila deklaroi se zhvlerësimi i lekut kundrejt dollarit si dhe rritja e vazhdueshme e çmimit të naftës në tregun ndërkombëtar, e bën të pashmangshëm rritjen e çmimit final për konsumatorët. Çmimet në tregun ndërkombëtar kanë kaluar në mbi 80 dollarë për fuçi gjatë ditëve të fundit, ndërsa një vit më parë, nafta kushtonte vetëm 40 dollarë për fuçi. Pak ditë më parë çmimi i naftës arriti nivelin më të lartë gjatë 19 muajve të fundit. Në bursën e Londrës një fuçi naftë është shitur me 87,13 $ dukë pësuar një ulje prej 12 cent ndërsa në bursën e Nju Jorkut nafta pësoi një ulje prej 16 cent dhe një fuçi naftë u shit me 84,96 $.
Nafta D2 pushton tregun e hidrokarbureve, IQT certifikon D2 për D1
Last Updated on E Shtune, 08 Maj 2010 08:06