Berisha presion Gjykatës së Lartë: Meta mund të rikthehet në qeveri pas vendimit
Gjatë intervistës së tij të dhënë mbrëmë në ABC News, kryeministri Berisha është ndalur gjatë edhe tek procesi gjyqësor për Ilir Metën dhe rikthimin e tij në qeveri.
Berisha ka lënë të kuptohet se Meta do të rikthehet në qeveri, menjëherë pas vendimit të Gjykatës së Lartë, duke bërë në të njëjtën kohë presion ndaj kësaj të fundit, pasi pafajësinë e Metës e ka cilësuar si një gjë të padiskutueshme.
Vendimi i drejtësisë është vendim drejtësie dhe pa diskutim që do të respektohet. Meta gjersa të jepet vendimi është i pafajshëm, ky është prezumimi i pafajësisë. Meta ka deklaruar se do ta respektojë plotësisht vendimin dhe ka besim të plotë në gjykimin objektiv. A do të jetë Meta pas vendimit të Gjykatës në qeveri apo jo, kjo është çështje e LSI-së dhe jo çështje imja. Është çështje e asaj partie aleate që unë bashkëqeveris, deklaroi Berisha.
Përveç presionit jo të drejtpërdrejtë ndaj Gjykatës së Lartë, Berisha në intervistën e tij sulmoi ashpër edhe prokurorinë, duke mbrojtur hapur Metën.
“Mendoj se lideri i partisë së koalicionit ka dhënë një shembull të shkëlqyer. Iu nënshtrua një procesi mbi bazën e një dokumenti të prerë dhe ngjitur 28 herë. Dha dorëheqjen, shkoi para prokurorëve si qytetari Ilir Meta. Ekzistonin disa variante, por kërkoi më thelbësoren, që të gjykohej në thelb për këtë çështje.
Paraqitja ishte ndryshe. Ishte Meta ai që i kërkoi Gjykatës që të ndryshojë spektrin ose lëndën e gjykimit. Ishte për çështje materie, Gjykata e pranoi dhe u tregua e përgjegjshme. Meta i është përgjigjur në mënyrën më të civilizuar kërkesës së Gjykatës së Lartë, i ka shprehur besimin asaj dhe nuk ka pasur asnjë paragjykim. Ka pasur probleme të drejta me Prokurorinë, e cila ka mashtruar Parlamentin me dokument, por ky është kapitull tjetër. Pavarësisht nga kjo, nuk ka asnjë keqardhje nga heqja e imunitetit të Metës, sepse të dhënat e mëvonshme kanë faktuar katërcipërisht se Parlamenti është mashtruar, nuk iu tha e vërteta për ato çështje. Por kjo ska rëndësi. Është Drejtësia që e nxori këtë problem. Këtu mendoj se qëndrimi i Metës i bën nder atij si politikan. Pranimi i Gjykatës për ta shqyrtuar në materie çështjen, i bën nder shtetit ligjor, i bën nder integritetit të saj,” tha Berisha.