E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret Raunig: Shqipëria bëri zgjedhje me standarde, meriton statusin në dhjetor

TIRANË- Kryeministri në detyrë Sali Berisha , vlerëson se me organizimin e zgjedhjeve sipas standardeve europiane Shqipëria tashmë i përmbush kushtet për marrjen në dhjetor të këtij viti të statusit të vendit kandidat në BE. Bindja e shefit të qeverisë u konfirmua në takimin e kortezisë që zhvilloi me ambasadorin e Austrisë në Shqipëri me rastin e mbarimit të detyrës, Florian Raunig.

Zyra e Kryeministrisë bën me dije se në takim u bisedua edhe për çështje të tjera me interes, ku theksi u vu tek qëndrueshmëria e administratës si një kusht themelor për procesin e integrimit europian. Kryeministri Berisha theksoi se maxhoranca e re ka hartuar një platformë për zhbërjen e administratës. Ambasadori Raunig nënvizoi se kjo temë do të vazhdojë të mbetet në fokus në raport me progresin e Shqipërisë.

Ambasadori Raunig e falenderoi Kryeministrin për bashkëpunimin shumë intensiv e të frytshëm gjatë katër viteve të ushtrimit të detyrës, si dhe për ndjenjat e simpatisë që Kryeministri Berisha ka dëshmuar ndaj Austrisë.

Nga ana e tij Berisha e falënderoi ambasadorin Raunig për kontributin e tij të jashtëzakonshëm në forcimin e përparësimin e marrëdhënieve mes dy vendeve, teksa veçoi mbështetjen e Austrisë në kremtimet e 100 vjetorit të pavarësisë së Shqipërisë, e cila me kontributin e saj të vyer zuri një vend nderi në këtë përvjetor jubilar për Shqipërinë dhe shqiptarët.
(e.m/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›