E Shtunë, 31 Tetor 2026

Mbi qeverinë "Rama"

Nuk mund të mos vihet re asocimi që i bën qeverisë së tij Rama, me atë të Ismail Qemalit 101 vite më parë. Evokimi i Rilindjes, lidhet me
ndihmën që kërkon nga historia, sesa me përqasjen që mund t'i bëhet fizikisht asaj. Qeveria e Ismail Qemalit, qe kurorëzim i Rilindjes sonë kombëtare, ndaj të dytë nuk mund të ketë. Në dorë të pasardhësit është, që në njëqindvjeçarin e dytë të mos paraqitet groteske.
Para njëqind e një viteve, Ismail Qemali luftonte për mbijetesën e qeverisë së tij, por dhe të vetë shtetit shqiptar. Sot, për fat, Shqipëria është e ngulur në fytyrë të dheut dhe nuk mund të zhbëhet më. Kombi shqiptar është në ekspansionin e tij, dhe Ramës do t'i duhet ta menaxhojë me urtësi dhe europianizëm këtë orë të fatit që na ka ardhur.

Ismail Qemali, kishte kundërshtarë të fuqishëm jashtë kufijve, po aq sa brenda tyre. Ata të brendshmit, ishin të paskrupuj, të fuqishëm ushtarakisht dhe të gatshëm t'i shiteshin blerësit më të parë. Sot, kjo lloj skote është pakësuar. Ose për të qenë më të saktë, është bërë më me dorashka. Shqiptarët e sotëm janë më të shkolluar e informuar, dhe kanë kuptuar se kudo që të shkojnë, kjo është e vetmja tokë që nuk i përbuzin apo shajnë se janë shqiptarë. Ndaj nuk ndjekin nga pas horrat. Ky është një fat që Rama ka më shumë se Ismail Qemali.

Plaku i Vlorës, nisi veprën e tij për të bërë shtetin e shqiptarëve, ku ca kërkonin Turqinë, ca Greqinë, ca Serbinë e një grusht burrash me të në krye, donin të bënin Shqipërinë. Sfidat e Edi Ramës janë më prozaike. E shohin në sy miliona shqiptarë, që presin nga ai t'u hapë rrugën, ofrojë mundësinë, e nëse nuk mundet, mos t'i pengojë që të begatojnë veten dhe bashkë me veten edhe vendin. Janë racë që nuk kanë pasur frikë të marrin detin me skafe, malet në këmbë dhe oqeanet me gjoks. Kanë pasur zotësinë e mençurinë të bëhen dikushi edhe në tokë të huaj. Tani presin që shteti i tyre, ta dojë Shqipërinë po aq sa e duan ata; duan që qeveria t'i lejojë ta bëjnë Shqipërinë. Qyprillinjtë, Vaso Pasha, Karl Gega, Arkitekt Sinani, Françesko Krispi, Nënë Tereza, e mijëra të tjerë, janë ekzemplarë të talenteve që është në gjendje të prodhojë gjaku ynë. Mijëra të tjerë, janë në potencë. Duan vetëm një mundësi që të bëhen, e të cilën shteti njëqindvjeçar i shqiptarëve nuk ua ofroi.

Ismail Qemali ishte burrë i fisëm e nga derë e fisme. Qeveria e tij ishte me emra të rëndë, që më pas i morëm si shembuj dhe ende nuk i kemi arritur. Në njëqind vjet, ata që udhëheqin këtë vend, kanë vrarë kundërshtarët e familjet e tyre, i kanë sharë e nxirë jetët dhe emrin. Burra që nëmin si gra të liga. Pas njëqind vjetësh, kemi të drejtë të presim pak më shumë erz e qibar në krye të vendit.

Një ndër problemet e mëdha të qeverisë së parë të shqiptarëve ishin financat. Gjendja e sotme ekonomike është diçka më shumë se e zeza. Arka e shtetit është e boshatisur, e administruar si nga një dorë pushtuesi. Në shtator, nuk ka para të paguhen rrogat. Miliona euro punë publike të realizuara me tendera të dyshimtë nga qeveria e ikur, nuk janë likuiduar dhe janë faturë financiare për atë që po vjen. Shqipëria nuk ka moçale si në 1913-ën, por ajo e njëqind vjetëve më pas po rimbushet me të tillë për shkak të administrimit të papërgjegjshëm të pronës publike. Rendi është me komisarë policie, që e shikojnë qeverinë që po vjen me të njëjtën armiqësi si homologët e tyre të Perandorisë Otomane shikonin qeverinë e Ismail Qemalit, ndaj e kanë lënë preh të bandave. Pronat janë më lëmsh se para njëqind vjetëve. Tarafi quhet "militantizëm". Ndarja krahinore, kjo zgjebe e luftuar me mund në vite, u ringjall, dhe malësorët pa shkollë e lebërit pa gramë të dikurshëm, duken si iluministë, krahasuar me shqiptarët e sotëm.

Edi Rama nuk është Ismail Qemali dhe këtë e di edhe vetë. Nuk ka si detyrë të bëjë Shqipërinë, se është e bërë, por ta çojë përpara atë. Shqiptarët nuk presin një mrekulli nga Rama dhe as mendojnë se qeveria e tij do t'i ngjajë Luigj Gurakuqit apo Lef Nosit. Si fillim do të ishte mjaft që Shkëlqim Cani mos të ngjante me Ridvan Boden dhe Nasip Naço me Nasip Naçon. Kaq, nuk do të ishte fillim i keq!

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›