E Shtunë, 31 Tetor 2026

Si të organizoni piknikun ideal!

Origjina e fjalës “piknik” Fjala piknik, në të kundërt me atë që mund të na lërë përshtypjen e parë, ka origjinë shumë të vjetër. Shumë janë të bindur se bëhet fjalë për një bashkim fjalësh nga frëngjishtja e vjetër : “pique” (të marrësh me vete) dhe “nique” (gjëra që kushtojnë pak). Të dhënat e para për piknikët datojnë qysh në 1600-ën, në epokën baroke, ku qytetarët merrnin me vete gjërat që kishin gatuar dhe i konsumonin në parqet rreth qyteteve. Me kalimin e kohës, pikniku arriti të bëhet mjaft popullor dhe mjaft familje preferonin që të kalonin fundjavën në rrethinat e qytetit, duke u zhvendosur nëpër fshatra, mes livadheve të qeta. 

Një batanije, një tavolinë portative dhe një meny e pasur me ushqime të përgatitura në kuzhinën tuaj. Pothuajse të gjithë nuk mund t’i thonë “JO” një oferte, për të kaluar një piknik mbi bar në fundjavë, tani kur vera pothuajse ka mbaruar. Drekimi në lëndina konsiderohet një mënyrë mjaft pozitive, për të rikthyer çdokënd në humor pas një jave plot stres, pas skrivanisë së punës. Mos harro se përveç menysë, në çantën tuaj nuk duhet të mungojë ndonjë libër, raketat dhe topi i tenisit, kutia e shahut dhe një radio xhepi për të dëgjuar muzikë. Nëse keni një udhërrëfyes me vende të caktuara ku mund të instalosh tryezën tënde në fundjavë, kjo do të ishte idealja, por nuk ka asgjë të keqe nëse fshati më i afërt, larg zhurmës së metropolit, të shërbejë si pikë referimi për një piknik të mundshëm. Mes aksesorëve të kuzhinës, sugjerojmë pjata, gota dhe lugë plastike dhe një çantë termike për të ruajtur ushqimet e freskëta. Gjëja më e bezdisshme për ata që janë mësuar me piknikun, janë asortimentet shoqëruese të kuzhinës, të cilat jo rrallëherë bëhen shkak për ndotjen e veshjeve nga tronditjet e rrugës. Ndërkohë, për menynë, gjithsecili zgjedh ato që pëlqen, por ne do t’iu sugjerojmë një recetë e cila nuk do të vrasë stomakun tuaj, në mënyrë që të jeni në formë për t’u përshtatur me aktivitetet sportive. Kështu, receta përmban vezë, pica, djathë, patate të skuqura, ëmbëlsira, fruta dhe perime të papërgatitura, me të cilat mund të bëni një sallatë fantastike, si dhe pije të lehta që nuk do të trazojnë mendjen tuaj.
Rreth një zgare
Për të organizuar një piknik rreth një zgare barbekyje, s’është e nevojshme të zotërosh një zgarë të sofistikuar. Zgara tradicionale me qymyr mjafton. Për një pjekje më të shëndetshme, ju mund të vendosni mishin që do të piqni mbi një fletë alumini dhe pastaj piqeni mbi zgarën e barbekysë. Për një barbeky më orientale, marinoni fileton e pulës ose brinjët e qengjit me një përzierje vaji ulliri, limoni dhe barbaroze. Për t’i dhënë barbekysë tënde një karakter më indian, marinoni mishin që në mëngjes me një përzierje kosi dhe shoqërojeni me thjerëza të gatuara me uthull.
Në ballkonin tuaj
Nëse banoni në një apartament, shfrytëzoni hapësirën e ballkonit tuaj, edhe pse ky mund të jetë i ngushtë. Mbani hapur dyert e ballkonit; kjo krijon ambient më mikpritës dhe miqësor dhe lejon qarkullimin nga brenda jashtë. Vendosni jashtë tavolina të vogla të rrumbullakëta dhe stola, si dhe vendosni biskotat me kripë, taratorin, domatet e vogla mbi këto tavolina...! Nëse ballkoni është tepër i madh për të nxënë një tavolinë, vendosni atje edhe pjatat për të hedhur ushqimin që keni përgatitur. Për të freskuar miqtë tuaj, përgatisni kana me ujë të ftohtë dhe hidhni brenda tyre feta limoni dhe fletë mente. Është e këndshme dhe dekorative.
Në një kopsht
Bën shumë nxehtë për të qëndruar në shtëpi? Organizoni një piknik! Edhe në qytet, disa parqe ofrojnë mundësinë për ta bërë një gjë të tillë. Parashikoni ushqime që mund të hahen pa pjata dhe mbulesa të tepërta. Përgatisni për secilin nga një çantë personale dhe nga një jastëk të vogël; një gotë plastike me ngjyra të ndryshme për t’i dalluar, peceta letre dhe një shishe uji për secilin... Kështu që ju mbetet vetëm të merrni me vete çantën frigorifer me ushqimet e vendosura në kuti plastike, hermetike. Mos harroni të merrni lodra me vete si top, letra bixhozi, raketa bambingtoni ose tenisi, birila, etj, për të kaluar sa më aktivisht ditën ose buzëmbrëmjen.
Buzë ujit
Shëtitjet buzë ujit janë të parezistueshme kur koha është e bukur. Kujtoni shëtitjet buzë liqenit artificial të Tiranës, liqenit të Ohrit apo të Shkodrës, shëtitjet në Liqenet e Lurës, etj. Nëse banoni pranë një lumi ose rrjedhe uji, përfitoni! Bëjuni një surprizë miqve tuaj, duke organizuar një mbrëmje në ajër të pastër. Në një shportë kashte vendosni çfarë ju duhet; një mbulesë tavoline me katrorë, për ta vendosur në tokë dhe për të vendosur në të ushqimet, pjata të bardha,si dhe disa lule fushe në një vazo... Për sa i përket menysë, gatuani pjatat më tradicionale: byreçka të vogla, të lehta, proshutë dhe sandwitcha të lehtë, sallatra me domate dhe djathë të bardhë, patate të skuqura, si dhe ëmbëlsira të lehta dhe fruta të freskëta. Mos harroni shishet e ujit me gaz dhe pa gaz për më të eturit. 
(e.m/summerpages/GSH/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›