E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret delegacionin e KE: Shqipëria superfuqi energjetike

TIRANE- Kryeministri Berisha priti sot një delegacion të Komisionit Evropian, nga Departamenti i Politikave të Energjisë dhe Transportit, të kryesuar nga Samuele Furfari. Ai ka vlerësuar si vizionare dhe të efektshme jo vetëm për Shqipërinë, por mbarë rajonin dhe Evropën, strategjinë dhe politikat e qeverisë shqiptare në këtë drejtim. Sipas zotit Furfari shtimi i projekteve private në këtë fushë dëshmon për suksesin e direktivave të Komisonit Evropian, mbajtur parasysh nga qeveria shqiptare. Ndërkaq Kryeministri Berisha, theksoi se vizioni i qeverisë së tij është: Shqipëria, edhe pse një vend i vogël – superfuqi energjetike. Kërkesa për energji tha Berisha po rritet pafundësisht dhe domosdoshmëria e ndjekjes së saj përbën çelësin e suksesit të strategjive dhe reformave të qeverisë sime. Kryeministri i prezantoi delegacionit projektet në zhvillim për shfrytëzimin e të gjitha potencialeve të prodhimit të energjisë në Shqipëri. “Qeveria shqiptare ka synuar fillimisht të përmbushë nevojat aktuale dhe të projektojë të ardhmen e tyre, jo vetëm për vendin, por edhe për rajonin dhe Evropën” - theksoi Berisha. Kryeministri siguroi delegacionin se të gjitha direktivat edhe politikat e KE-së dhe të BE-së janë pika reference të programeve te qeverisë së tij dhe se e vlerëson pa masë bashkëpunimin në suksesin e objektivave ambicioze të tij për kthimin e Shqipërisë në një vend të fuqishëm eksportues të energjisë, si dhe qendër të sistemit të transportit të gazit.(m.a/News24/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›