E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret dy artiste shqiptare të Hollywood-it

TIRANË -Kryeministri Berisha, priti sot në një takim, dy artiste shqiptare në Hollywood, Greta Zenelaj dhe Vilma Zenelaj.
Sipas zyrës së shtypit të Kryeministrisë, këto dy artiste ishin pjesëmarrëse dhe u prezantuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, që u zhvillua pak ditë më parë në qytetin e Durrësit, me dy produksione të tyre, komedinë “Çfarë të bëj unë tani?” dhe me melodramën “Në pyll”.
Gjatë takimit ato e njohën Kryeministrin me projektin e tyre të ardhshëm për realizimin e një filmi me tematikë për 2 prillin e vitit 1991. Ky film do të mbajë titullin “Shqipe” ose “Eagle”.
Gjatë qëndrimit në Shqipëri ato kanë vizituar edhe qytetin e Shkodrës, prej nga do të nisin xhirimet e filmit të tyre të ardhshëm.
Ato i shprehën Kryeministrit Berisha impresionet për ndryshimet tepër pozitive dhe të dukshme që ka pësuar qyteti i Shkodrës dhe Shqipëria në këto vitet e fundit.
Kryeministri Berisha i përgëzoi dy artistet shqiptare, si për dy filmat me të cilat u prezantuan në Festivalin Ndërkombëtar të Filmit, ashtu edhe për iniciativën për realizimin e filmit të tyre të ardhshëm mbi ngjarjet e 2 prillit 1991.
Duke i uruar suksese në realizimin e këtij projekti, Kryeministri Berisha u shpreh se ndjehej mirë që artistët e rinj shqiptar, të cilët po bëjnë emër edhe jashtë atdheut, me talentin e tyre janë prezent në vendlindje.

(d.b/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›