E Shtunë, 31 Tetor 2026

Minibashkite me shume kompetenca sherbime te reja

Në fund të shtatorit qytetarëve të Tiranës do tu ofrohen më shumë shërbime nga njësitë vendore. Arben Tafaj, kryetari i njësisë vendore numër 8 dhe njëkohësisht një nga anëtarët e hartimit të draftit për decentralizimin e kompetencave vendore nga bashkia e madhe drejt njësive, zbardh disa nga detajet, rreth shërbimeve të reja që do të ofrojnë njësitë për qytetarët, nga investimet e deri tek zgjidhjet e konflikteve që lidhen me pronën private.

"Do të kenë shumë më tepër akses te shkollat cerdhet, qëndrat shëndetësore të zonës. Do të jetë dhe përmirësimi i ligjit të urbanistikës ku njësitë bashkiake të kenë mundësinë dhe të drejtën për ti ofruar shërbimet bazë që lidhen me riparime shtëpish etj., që qytetarët e Tiranës ose i kanë bërë pa leje ose kanë qenë të detyruar të fusin dosjet dhe të mos i marrin lejet gjatë gjithë jetës së tyre", tha Arben Tafaj, kryetar i njësisë vendore.

Aktualisht thotë Tafaj njësitë vendore ofrojnë për qytetarët shërbimet bazë, kjo edhe si pasojë e buxhetit të cunguar i trashëguar nga vendorët e mëparshëm.

"Shërbimet bazë, pra funskionet e veta të njësisë bashkiake pa dyshim që nuk janë prekur, pavarësisht nga buxheti. Këtu flitet për investime. Njësitë  bashkiake do të marrin kompetenca të plota në raport me zonat terciare të njësive bashkiake", tha Tafaj.

Drafti që po hartohet për decentralizmin e kompetencave të vendorëve në Tiranë, pritet që të diskutohet edhe në këshillin bashkiak. Nëse nuk do të ketë ndryshime në ligjin organik të bashkisë, ky draft miratohet nga këshilli i bashkisë, por në rast se ligji do të preket ai duhet të kalojë për votim me shumë të cilësuar në parlament.

Edlira Sulejmani

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›