E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret në një takim ambasadorin e Bullgarisë

Tiranë - Kryeministri Sali Berisha priti sot, në takim, ambasadorin e Republikës së Bullgarisë, zotin Dimitar Ivanov Arnaudov, me rastin e fillimit të detyrës në Shqipëri.

Kryeministri Berisha, pasi i uroi mirëseardhjen dhe suksese në detyrën e re, theksoi se ambasadorit Arnaudov merr detyrën në një vend mik dhe se qeveria shqiptare është tërësisht e angazhuar për t’i thelluar e zgjeruar marrëdhëniet dhe bashkëpunimin shumë të mirë e frutdhënës në të gjitha fushat me Bullgarinë mike.

Ambasadori Arnaudov e falenderoi Kryeministrin Berisha për pritjen e ngrohtë e miqësore, duke theksuar se ndjehej i lumtur dhe i nderuar që e takonte dhe i përcolli përshëndetjet e përzemërta të Kryeministrit të Bullgarisë dhe autoriteteve më të lartë shtetërore të vendit të tij.

Në takim u vlerësuan marrëdhëniet e shkëlqyera politike midis dy qeverive dhe vendeve, të bazuara mbi miqësinë tradicionale midis dy popujve dhe u rikonfirmua vullneti i plotë dhe angazhimi i të dy palëve për të zgjeruar bashkëpunimin në të gjitha fushat, në veçanti atë ekonomike, shkëmbimet tregtare, në fushën e kulturës, arsimit etj.

Në këtë kontekst, u ripohua vullneti i palëve për të intensifikuar vizitat në nivelet më të larta politike, si dhe për të plotësuar kuadrin ligjor në të gjitha aspektet, për të lehtësuar thellimin e bashkëpunimit të deritanishëm të suksesshëm dhe në veçanti tërheqjen e investitorëve të rëndësishëm bullgarë për të investuar në Shqipëri.

Ambasadori Arnaudov e siguroi Kryeministrin Berisha për mbështetjen e plotë të Bullgarisë dhe qeverisë së saj për anëtarësimin e Shqipërinë në Bashkimin Europian dhe uroi marrjen sa më shpejt të statusit të vendit kandidat. Në takim u diskutuan gjithashtu edhe zhvillimet e fundit në rajon.

(ar.si/BalkanWeb)

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›