E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha pret një delegacion të inteligjencës së NATO-s

Gjatë takimit, kryeministri Berisha i falënderoi për bashkëpunimin dhe për mbështetjen që institucionet që ata përfaqësojnë i kanë dhënë Shqipërisë dhe shërbimeve informative të saj, në veçanti për sa i përket bashkëpunimit të shërbimeve të inteligjencës në kuadër të pjesëmarrjes së trupave shqiptare në misionet e NATO-s dhe ISAF në Afganistan.

Zotërinjtë Ritcheson, Hyes dhe Ellison e siguruan kryeministrin Berisha, se institucionet që ata përfaqësojnë, përkatësisht Divizioni i Inteligjencës në NATO, Bruksel, Komiteti ushtarak i Inteligjencës së NATO-s, Zbulimi Ushtarak i Komandës Amerikane për Evropën, si dhe Universiteti Kombëtar i Inteligjencës, SHBA  do të vijojë të bashkëpunojnë ngushtësisht dhe do të mbështesin Shqipërinë dhe shërbimet e saj informative, në veçanti SHIU-n në të gjitha aspektet e marrëdhënieve të shkëlqyera të bashkëpunimit që ka ndërtuar me këto agjenci gjatë kësaj periudhe, si për sa i përket shërbimit të informacionit, ashtu edhe në fusha të tjera që kanë të bëjnë me trajnimin.

Në takim, zyrtarët e NATO-s vlerësuan kontributin real dhe të rëndësishëm të Shqipërisë, në  luftën kundër terrorizmit si dhe për forcimin e paqes dhe stabilitetit në Afganistan dhe i shprehën mirënjohjen më të thellë të agjencive që ata përfaqësojnë dhe të SHBA-ve  për këtë kontribut,  por njëkohësisht edhe vlerësimin më të lartë për sakrificën e një prej efektivave të shkëlqyer të forcave speciale shqiptare, kapiten Feti Voglit.

Ata vlerësuan punën e shkëlqyer që njësitë  e FA-ve  shqiptare po bëjnë në Afganistan dhe e siguruan Kryeministrin se agjencitë që ata përfaqësojnë janë plotësisht të angazhuara dhe do të vijojnë bashkëpunimin frytdhënës me SHIU-n shqiptar për tu ofruar udhëheqësve politike dhe vendimmarrësve ushtarakë, informacionin më të saktë dhe në kohën më të përshtatshme të mundshme  për ti ndihmuar ata në detyrën dhe vendimmarrjet e tyre të rëndësishme, në mënyrë që misioni në ndihmë të Afganistanit dhe popullit mik të shumëvuajtur të këtij vendi të kurorëzohet me sukses. /Start/

                                                                                             2012-04-19 08:32
   

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›