Topi në Maqedoni, sot takime me krerët e shtetit

Presidenti Bamir Topi i cili ndodhet që prej ditësh së djeshme në Maqedoni do të nisë sot takimet zyrtare, ku paradite do të pritet nga homologu i tij Gjorgji Ivanov, ndërsa më pas do të ketë edhe një konferencë të përbashkët për shtyp. Gjithashtu dy presidentët Topi dhe Ivanov do të vizitojnë varrin e Goce Dellçev në Kishën e Shën Spasit, ku do të vendosin kurora me lule.
Kreu i shtetit do të takohet pasdite me kryetarin e LSDM-së, Branko Cërvenkovski, më pas takimet me kryetarin e Parlamentit Trajko Veljanovski, kryeministrin Nikolla Gruevski, ndërsa një darkë pune solemne në mbrëmje është organizuar nga zëvendëskryeministrja për evrointegrime Teuta Arifi.
Në ditën e tretë të vizitës së tij në Maqedoni, presidenti Topi do të marrë pjesë në hapjen e Panairit me produkte të vendit dhe investime të huaja në Shkup.
Më pas, kreu i shtetit do të takohet në Tetovë me liderët e partive shqiptare. Presidenti Topi fillimisht do të qëndrojë në selinë e PDSH-së në takimin me kreun e kësaj partie Menduh Thaçi, ndërsa më pas vijon takimi me kreun e BDI-së, Ali Ahmeti.
Në kuadër të vizitës, presidenti Topi pasdite do të vendos lule në memorialin e Ministrit të Mbrojtjes së Qeverisë së Ismail Qemalit, Mehmet Pashë Derralla në fshatin Gradec të Gostivarit