E Shtunë, 31 Tetor 2026

Interkonjeksioni Rama vijon akuzat ndaj qeverise

Kryetari i Partisë Socialiste Edi Rama, ka vijuar akuzat në adresë të qeverisë, se ka bllokuar qëllimisht zbatimin e projektit për ndërtimin e linjës së interkonjeksionit 400 kilovolt, Shqipëri-Kosovë. Në një deklaratë për mediat, Rama tha se kryeministri Sali Berisha, duhet të zhbllokojë projektin.

Por, këtyre akuzave, të përsëritura, një ditë më parë kreu i qeverisë i cilësoi si klithma të mafies së dëshpëruar. Duke iu përgjigjur akuzave të Ramës, kreu i qeverisë tha se Rama, është bërë pjesë e atyre që duan ta bëjnë linjën e interkonjeksionit me çmimin më të lartë. Shefi i ekzekutivit bëri me dije se kompania që ka fituar tenderin është më e shtrenjtë. Firma e dytë, për të cilën OST-ja dhe drejtuesi i saj insiston të shpallet fituese, sipas kryeministrit Berisha ka prurë një ofertë – të dyja në kushte të përafërta teknike – prej 27 milionë eurosh për territorin e Shqipërisë, kundrejt 36 milionë eurove që është oferta e parë. Këtu çmimi lëviz me 1/3-ën dhe kush navigon në këtë 1/3, është punë tjetër. Ndaj akuzave të Edi Ramës, ka reaguar edhe Ministria e Financave, e cila sqaruar se janë kryer negociata dhe është marrë miratimi për një kredi prej 42 milionë eurosh, për financimin e ndërtimit të linjës, ndërsa OST është caktuar si agjencia zbatuese për këtë projekt.

Ministria e Financave bëri me dije se u vu në dijeni nga OST për rrezikun e shpalljes fitues të një kompanie e cila kishte ofruar një çmim mbi 30% më të lartë së oferta e kompanise ndjekese. Sipas dikasterit të Financave, çdo përpjekje për të manipuluar këtë të vërtetë është e sponsorizuar nga interesa korruptive. Ndërsa vetë OST, duke hedhur poshtë akuzat është shprehur se për linjën 400 kv Shqipëri - Kosovë është hapur më datë 8.3.2011, për të ndjekur më pas, të gjithë procesin ligjor të parashikuar në legjislacionin shqiptar dhe standartet e ofruara nga Banka Gjermane KfW.

Sipas OST, në shqyrtim të ofertave, u pa se ishin paraqitur vetëm dy kompani, të cilat i plotësonin kushtet teknike. Në këtë reagim, thuhet se siç e parakikon ligji dhe rregullat shqiptare dhe ato ndërkombetare, është e përcakuar qartë se në asnjë mënyrë autoriteti kontraktues nuk mund të shpallë fitues një kompani e cila ka ofruar çmimin më të lartë. Ndaj ky autoritet ka hedhur poshtë çdo presion, për të shpallur fitues një kompani që në këtë rast kishte një çmim aq të lartë krahasuar me kompaninë tjetër.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›