Berisha prezanton Shqipërinë si presidente e Këshillit të Evropës
Në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, Shqipëria ka prezantuar dje prioritetet e 6-mujorit të drejtimit të Këshillit të Ministrave. Kryeministri Sali Berisha ka përkujtuar rrugën që prej anëtarësimit në 1995 e deri tek marrja e presidencës. Komunikimi me europarlamentarët është përqendruar tek zgjidhjet që Shqipëria do promovojë lidhur me promovimin e demokracisë apo përshpejtimin e reformave në Evropën Juglindore
Presidenca e radhës e Këshillit të Evropës që mbahet nga Shqipëria, është një moment historik për vendin dhe çdo qytetar të tij. 20 vjet më parë në cilësinë e presidentit të Shqipërisë Sali Berisha iu drejtua Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës, me vullnetin për anëtarësimin e Shqipërisë në këtë institucion, ndërsa 20 vjet më pas, Shqipëria mban presidencën e radhës së KiE. Me një fjalim drejtuar Asamblesë Parlamentare, kryeministri Sali Berisha e quajti historik mbajtjen e Presidencës së KiE nga Shqipëria, vendi i cili 20 vjet më parë, i sapo dalë nga diktatura më e egër, iu drejtua dyerve të Këshillit të Europës për anëtarësim, proces i cili do të bëhej realitet në vitin 1995.
Berisha tha se sot Shqipëria është vendi i lirive e të drejtave të garantuara me Kushtetutë, i respektit të plotë të të drejtave njeriut e minoriteteve dhe i respektit e tolerancës të shkëlqyer ndër fetare. “Njëzet vjet më parë, më 6 maj të vitit 1992, në vizitën e parë jashtë vendit si President i parë i Shqipërisë së sapodalë nga diktatura më e egër që Europa kishte njohur pas luftës së dytë botërore, unë paraqita përpara kësaj Asambleje të nderuar, vullnetin e qeverisë e popullit tim për anëtarësimin e Shqipërisë në Këshillin e Europës. Kjo ëndërr, të cilën shqiptarët e kishin mbrujtur për dekada të tëra, në maj të vitit 1995 do shndërrohej në realitet; Shqipëria do të anëtarësohej në Këshillin e Europës. Në këtë aulë, unë ndihem si në shtëpi, sepse për vite me radhë, si lider i opozitës shqiptare kam pasur nderin, të dashur miq e kolegë, të ndaj me ju, si anëtar i kësaj Asambleje, çaste dhe veprimtari ndër më të bukurat e më të rëndësishmet e jetës sime politike. Por sot është një moment i veçantë, historik për mua, kombin tim dhe Këshillin e Evropës. Sot jam këtu si Kryeministër i Shqipërisë, njërës prej demokracive më të reja të Evropës, Kryetare e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës. Dhe për një koincidence po kaq simbolike, Shqipëria e merr këtë kryesi nga demokracia më e vjetër e Evropës, Britania e Madhe. Unë gjej rastin të shpreh urimet më të përzemërta dhe vlerësimin më të lartë për suksesin e Presidencës britanike. Këtë vit, Shqipëria feston 100 vjetorin e pavarësisë së saj. 100 vjet më parë, të shumta ishin përpjekjet që shqiptarët të mos ekzistonin si nocion politik. Këto njëqind vite, ne, shqiptarët, kemi përjetuar copëtime të mëdha, pushtime të egra, spastrime etnike dhe diktatura oruelliane. Por sot festojmë 100 vjetorin e pavarësisë së Shqipërisë si një komb i lirë, si një vend që kryeson Komitetin e Ministrave të tempullit më të vjetër të demokracisë europiane. Ky është diamanti në kurorën e 100 vjetorit të pavarësisë së vendit tim. Shqipëria kryeson sot Komitetin e Ministrave të Këshillit të Europës, kur vetëm njëzet e dy vite më parë ishte vendi i lirive e të drejtave të ndaluara me Kushtetute dhe i ateizmit të imponuar. Sot, Shqipëria është vendi i lirive e të drejtave të garantuara me Kushtetute, i respektit të plotë të të drejtave njeriut e minoriteteve dhe i respektit e tolerancës të shkëlqyer ndër fetare”, u shpreh ai.
Berisha përshkoi momentet e vështira në fillim vitet ’90, shembja e diktaturës komuniste, anëtarësimi në NATO, pjesëmarrja në operacionet e paqes në Afganistan e më gjërë, liberalizimi i vizave si dhe deri te reformat ekonomike, të cilat e kanë shndërruar vendin në histori suksesi. “Vendi që përjetonte izolimin më të thellë, është sot anëtar i NATO-s dhe kontribuon në misionet e saj të paqes në Afganistan e më gjere. Shqiptarët lëvizin sot pa viza në Evrope. Vendi që dy dekada më parë renditej pas Ugandës e Angolës si vendi më i varfër në bote, sot hyn në grupin e vendeve me të ardhura të mesme të larta. Shqipëria nuk është një vend i zhvilluar, por ka tregues të njëjtë me vendet e zhvilluara për sa i përket vdekshmërisë foshnjore, vdekshmërisë amtare e vdekshmërisë në tërësi, ashtu edhe për sa i përket aksesit në sistemin arsimor, atë shëndetësor dhe përdorimin e internetit. Sipas regjistrimit të fundit, rezulton se shqiptarët, të cilët në vitin 2001 kishin shtëpi banimi më pak se çfarë kishte çdo komb tjetër në Europë në vitin 1980, gjatë dhjetë viteve që shkuan, kanë arritur në këtë aspekt, nivelin e vendeve të zhvilluara. Madje kanë tejkaluar 5 kombe anëtare të Bashkimit Europian dhe OECD-së. Ekonomia shqiptare, ndonëse përballet me pasojat e krizës europiane e globale, ka ruajtur gjatë këtyre viteve të fundit një rritje të ndjeshme që në 5 vitet e fundit të marra së bashku arrin në rreth 22 përqind ose katër herë më e lartë sesa rritja mesatare e rajonit. Shqipëria po ndërton një nga infrastrukturat më moderne në rajon. Vitin e kaluar, vendi im mikpriti mbi 4 milionë turistë e vizitorë nga 300 mijë që kishte gjithsej në vitin 2004. Shqipëria është e angazhuar në procesin e integrimit të saj në BE si projekti më i mirë për të ardhmen e saj e të qytetarëve shqiptarë. Ne e kemi konsideruar e do vijojmë ta konsiderojmë këtë si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë. Disa probleme të brendshme e ngadalësuan atë për ca kohë, por, më së fundi, këto probleme po marrin zgjidhjen e tyre dhe vendi do të ecë në mënyrë të pandalshme drejt BE-së. Këshilli i Europës, Presidenca e Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës ka dhënë një kontribut të madh në zgjidhjen e këtyre problemeve dhe unë jam shumë mirënjohës”, tha kryeministri Berisha.
Integrimi, projekt madhor i shqiptarëve - opozita po bashkëpunon pas bojkotit
Kreu i qeverisë shqiptare, Sali Berisha shprehu angazhimin e qeverisë së tij për procesin e integrimit në BE, si projekti më madhor i Shqipërisë. Problemet e hasura nga bojkoti i opozitës, tha kryeministri, sot janë tejkaluar dhe po punohet për realizimin e reformave. “Shqipëria është e angazhuar në procesin e integrimit të saj në BE si projekti më i mirë për të ardhmen e saj e të qytetareve shqiptarë. Ne e kemi konsideruar e do vijojmë ta konsiderojmë këtë si një proces të bazuar tërësisht mbi meritë. Disa probleme të brendshme e ngadalësuan atë për ca kohë, por më së fundi këto probleme po marrin zgjidhjen e tyre dhe vendi do të ecë në mënyrë të pandalshme drejt BE-së”, garantoi ai.
Duke iu përgjigjur interesit të anëtarëve të Këshillit të Europës, shefi i qeverisë shqiptare pranoi se mazhoranca po punon me opozitën për të arritur me konsensus përfundimin e reformës parlamentare, pasi PS theu bllokoi bojkotin në Parlament.
“Opozita nuk ka qenë më parë në Parlament. Është e vërtetë që pas zgjedhjeve të 2009-ës opozita miratoi një bojkot, për shkak të rezultateve të zgjedhjeve edhe pse vëzhguesit ndërkombëtare përmbushën pjesën më të madhe të standardeve, u desh një farë kohe që opozita shqiptare të kthehet në opozitë pro europiane. Lideri i opozitës kujtoi se duke bojkotuar do rrëzonte qeverinë. Rezoluta e miratuar këtu ishte shumë ndihmuese. Tashmë opozita është në Parlament dhe ne po finalizojmë reformën zgjedhore me shpirt konsensual. Reformat filluan në dhjetor dhe deri në këto kohë kemi miratuar vetëm amendamentet e miratuara nga opozita”, deklaroi Berisha.
Ai u ndal posaçërisht te reforma zgjedhore, duke theksuar se Kodi i ri zgjedhor do jetë produkt i një konsensusi dypalësh. “Është e vërtetë që ka pasur diskutime për sa i përket kodit zgjedhor, madje edhe mbi kodin aktual zgjedhor, që ka qenë rezultat i një konsensusi në secilin prej paragrafëve të tij. Unë shpresoj që në javët në vijim reforma zgjedhore do të përfundohet. Së pari, prej tetorit të kaluar ne kemi parë një bashkëpunim konstruktiv midis mazhorancës dhe opozitës. Ne kemi kaluar disa ligje dhe kode të tjera të rëndësishme. Ligjet që i përkasin drejtësisë janë gati tani dhe u janë shtuar amendamente që janë propozuar nga opozita dhe përputhen me të gjitha standardet e nevojshme, dhe do të aprovohen në të ardhmen e afërt”, tha ai.
Presidenca shqiptare e KiE-së, do të jetë një histori suksesi
Duke e konsideruar të vështirë, por të suksesshëm udhëtimin e Shqipërisë në këto dy dekada për sa i takon ndërtimit të idealeve të lirisë, demokracisë dhe shtetit ligjor, kryeministri Berisha ai i shprehu mirënjohjen Këshillit të Evropës për ndihmën e çmuar të partneritetit dhe angazhimin për bashkëpunimin në 6 muajt e Presidencës shqiptare për të promovuar vlerat e përbashkëta nën moton “Të bashkuar në diversitet”. Janë pikërisht vlerat e përbashkëta e universale të lirisë e të drejtave themelore të njeriut të mbështetura nga demokracia, shteti ligjor e ekonomia e tregut të lirë e aspirata për paqe, zhvillim e prosperitet që bashkojnë popujt e kombet tona të pasura në tradita të spikatura historike, kulturore, gjuhësore apo të besimit; ndaj edhe presidenca shqiptare ka zgjedhur moton domethënëse “Të bashkuar në diversitet”, u shpreh kryeministri Berisha.
Berisha vijoi më tej fjalën e tij duke renditur disa nga prioritet kryesore të presidencës shqiptare të KiE-së, në mënyrë që ta shndërrojë atë në një histori suksesi.
Konsolidimi i paqes, sigurisë, demokracisë së qëndrueshme dhe lirive individuale e të drejtave të minoriteteve në rajon e më gjerë, forcimi i dialogut dhe bashkëpunimi me vendet e Afrikës Veriore dhe Mesdheut, promovimi i dimensionit fetar të dialogut ndërkulturor, edukimi i të rinjve si garantues i vijimësisë e së ardhmes së tyre, proceset integruese në rajon e më gjerë, janë disa nga prioritetet që do të udhëheqin presidencën shqiptare në KiE. “Prioritete të tjera të Presidencës sonë do të fokusohen në promovimin e mëtejshëm të demokracive funksionale, përfshirë në nivel lokal dhe rajonal dhe shtetit të së drejtës në kontinent. Në vijim të traditës së mirë të kryesive të mëparshme, ne do të vijojmë me reformat politike të organizatës dhe të axhendës Interlaken-Izmir-Brighton për një sistem më efikas të mbrojtjes dhe promovimit të të drejtave të njeriut dhe veçanërisht lidhur me reduktimin e ngarkesës së Gjykatës. Një tjetër prioritet i rëndësishëm i Presidencës sonë është promovimi i dialogut të ngushtë me organizatat ndërkombëtare, në mënyrë të veçantë Bashkimin Evropian dhe mbështetjen e zgjerimit në Ballkanin Perëndimor. Presidenca shqiptare do t’i kushtojë një vend të veçantë rinisë dhe arsimimit të saj me vlerat e Këshillit të Evropës. Në këtë kontekst, një veprimtari e posaçme me fokus të rinjtë është parashikuar për përkujtimin e viktimave të Holokaustit dhe nderimin e atyre individë që vendosën jetën e tyre e të familjeve të tyre në rrezik, duke shpëtuar hebrenjtë. Siç e dini, Shqipëria është ndoshta i vetmi vend në Europë, që i ruajti, i strehoi dhe i mbrojti hebrenjtë gjatë Luftës së Dytë Botërore dhe në periudhën e errët të Holokaustit. Numri i Hebrenjve në fund të Luftës së Dytë Botërore ishte shumë herë më i lartë, se në fillim të saj”, tha kryeministri.