E Diel, 1 Nëntor 2026

Berisha prezanton Xhaferrajn: Përballë kemi aleancën e betonit

Kryeministri ironizoi Partinë Socialiste, duke konstatuar se opozita e nisi me sloganin “Fajin e ka Saliu”, tani e bitisi me “rrugën e partisë”

Mazhoranca ka hapur dje pasdite fushatën për zgjedhjet vendore të 8 Majit në qytetin e Durrësit. Ferdinand Xhaferraj, kandidat i koalicionit “Aleanca për qytetarin” në Bashkinë e Durrësit, u konsiderua prej kryeministrit Sali Berisha si një politikan i spikatur dhe ish-ministër i suksesshëm i qeverisë. Në fjalën e tij Berisha ka theksuar se qyteti i Durrësit meriton një të ardhme të sigurt dhe duhet të qëndrojë në lartësinë e të shkuarës së tij të lavdishme, që lidhet me historinë 3000-vjeçare. “Kushdo dhe cilido që viziton qytetin e Durrësit i sheh vlerat e tij të papërsëritshme që lidhen me historinë 3000-vjeçare. Ne duam që Durrësi të qëndrojë në lartësinë e të shkuarës së tij madhështore. Kemi investuar në territorin e Bashkisë së Durrësit nga Shkëmbi i Kavajës deri në Currila dhe Porto Romano, më shumë se 60 milionë dollarë, në ujësjellës kanalizime 30 milionë dollarë, në port 50 milionë dollarë. Kemi shtruar më shumë se 300 km rrugë, kemi ndërtuar 52 shkolla e më shumë se 105 njësi ujësjellës kanalizime”, u shpreh Berisha. Fushata jonë, tha ai, bazohet te qytetari dhe për qytetarin, sepse ju jeni të parët dhe ju do të mbeteni të parët. “Këto vite ia kemi dalë të anëtarësohemi në NATO, ia dolëm për Shqipërinë, e cila nuk ekzistonte në hartën turistike, sot është destinacion i turizmit në botë. Vizioni ynë për Durrësin është që ai të kthehet në një nga qytetet kryesore turistike në Mesdhe, një nga portet më të rëndësishëm në Adriatik dhe një nga qendrat më të mëdha industriale të vendit. Katër vitet që vijnë do të dëshmojë se ne do t’i shndërrojmë në realitet premtimet tona, çdo projekt që do të hartoni bashkë me kryebashkiakun tuaj”, nënvizoi Berisha. Kreu i qeverisë ka komentuar edhe fushatën e opozitës, duke u shprehur se alternativa e kampit tjetër është krejt ndryshme, sepse nisi me “Fajin e ka Saliu” dhe bitisi me “Rrugën e partisë”. Kandidati i mazhoranvës për kreun e Bashkisë së Durrësit, Ferdinand Xhaferraj, në fjalimin e tij para qytetarëve durrsakë që në fillim ka shpjeguar arsyen e kandidimit, pasi, siç u shpreh ai, shumëkujt mund t’i ketë shkuar në mendje se përse e lashë postin e ministrit për të kandiduar për kryetar bashkie. “Së pari, sepse unë jam durrsak, jam lindur në Durrës dhe nuk jam shkëputur asnjëherë nga qyteti im. Bashkëshortja ime Greta, ka lindur në Durrës dhe prindërit e saj po ashtu. Kandidoj me zemër, pasi këtu ka lindur vajza jonë Herda, pra kanë lindur fëmijët tanë bashke me ëndrrat e tyre dhe ne prindërit duam që e ardhmja e tyre të jetë më e mirë këtu në qytetin tonë”, u shpreh Xhaferraj. Më tej ai tha se kryetari aktual i bashkisë në katër vite nuk ka mbajtur asnjë premtim nga ato që dha në fushatën e vet para katër vitesh. “Sot sheh në rrugët e Durrësit më shumë betoniere se autobusa urbanë, ndërsa një fond prej 60 milionë euro që ka marrë për të përmirësuar qytetin, ai e përdori për të shtuar fitimet në firmën e tij të betonit 3D. Betoni ka shëmtuar dhe vazhdon të shëmtojë një qytet me 3 000 vjet histori, të ndërtuar dhe të rindërtuar nga paraardhësit tanë në të njëjtin vend. Aleanca për qytetarin (gjej rastin të falënderoj përzemërsisht aleatët për mbështetjen) ka përballë aleancën për betonin. “Betoni e vetmja rruge” është slogani i Edit dhe Vangjushit, që u shpalos edhe dje në këtë pallat”, insistoi Xhaferraj. Ai ka shtuar se qeveria shqiptare është përkujdesur që Durrësi të jetë një shtëpi e përbashkët për të gjithë durrsakët. Me investimin e qeverisë, për herë të parë në historinë e Durrësit, përveç Urës së Dajlanit, u ndërtua një rrugë tjetër hyrëse në qytet, ajo që kalon përmes ish-kënetës. “Dy rrugë të tjera, njëra nga Spitalla në Shënavlash dhe tjetra që përfundon së shpejti nga Shkozeti në Porto-Romano, janë ndjekur nga rruga moderne Spitallë-Porto Romano. Rruga e Shkozetit përfundoi dhe shumë shpejt mbaron Unaza e re në drejtim të Plepave. Porti është transformuar gjatë pesë viteve të fundit, duke të dhënë imazhin e një porti lehtësisht të krahasueshëm me portet perëndimore”, theksoi Xhaferraj. Në lidhje me programin elektoral në këtë fushatë, kandidati Xhaferraj ka bërë të ditur para qytetarëve projektet e tij për infrastrukturën rrugore, krijimin e një sistemi unazor për lëvizjet, ndërtimin e rrugës së portit me destinacion Currilat, rrugën Currila-Kallm-Porto Romano, parkim nëntokësor në hyrje të shëtitores “Taulantia”, përmirësim i kanalizimeve të hapura në Plazh, Shkozet dhe Porto-Romano, bibliotekë e re, ndërtimi i kampusit universitar me sipërfaqe 58 hektarë, krijimi i një muzeu për suvenire si pjesë e lagjes “Kala” si dhe ulja me 50 për qind e taksave të biznesit të vogël. Aleks Kalemasi

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›