E Shtunë, 31 Tetor 2026

Bogdani: Ramës i mungojnë idetë dhe alternativat

Lulzim Basha ishte dje, sot, dhe do të jetë çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës, duke ndarë me ta hallet dhe shqetësimet, si dhe duke komunikuar për zgjidhjen e problemeve.

Partia Demokratike ka konstatuar dje se kreut të opozitës, Edi Rama, i mungojnë idetë dhe alternativat. Në një deklaratë për median, deputeti demokrat Gerti Bogdani konstatoi se “Edi Rama tregoi sot se nuk bën asnjë ditë pushim në fushatën e tij të shpifjeve dhe përbaltjes së kundërshtarit, ndërsa mungon çdo ditë kur vjen puna për të ofruar ide, alternativa dhe zgjidhje për qytetarët e Tiranës”. Në vlerësimin e deputetit Bogdani, Edi Rama ishte dje në Durrës duke vazhduar luftën e tij politike, e cila nuk ndërton asnjë rrugë të re, asnjë shkollë të re, asnjë park të ri në qytet. “Kjo politikë e Edi Ramës nuk sjell asnjë vend të ri pune, nuk ul as taksat dhe as çmimet. Ndërsa Lulzim Basha ishte dje, sot, dhe do të jetë çdo ditë në mes të qytetarëve të Tiranës, duke ndarë me ta hallet dhe shqetësimet, si dhe duke komunikuar për zgjidhjen e problemeve të mëdha që ka qyteti dhe jeta e përditshme”, theksoi Bogdani. Në vlerësimin e tij, Edi Rama përsërit çdo ditë programin e fyerjeve të ulëta dhe shpifjeve jashtë çdo etike qytetare. Duke vijuar në këtë linjë, Bogdani nuk harroi të flasë edhe për kandidatin e mazhorancës për Bashkinë e Tiranës. “Kjo mënyrë nuk e shkurajon aspak Lulzim Bashën, i cili ka një projekt serioz për përmirësimin e jetës në Tiranë. Sepse për Lulzim Bashën, Tirana është e para, të parët janë qytetarët e saj. Dhe për këtë, ai po merr çdo ditë mbështetje nga banorët e Tiranës”, nënvizoi Bogdani. Demokratët kanë paralajmëruar se në datën 7 prill do të çelin zyrtarisht fushatën për zgjedhjet lokale të 8 Majit.

Më shumë nga Politika

Të gjitha ›