Tentativë për të rrëmbyer djalin e gjyqtares së Kushtetueses
Më 12 janar, Prokuroria për Krime të Rënda ka nisur hetimet pas denoncimit të prindërve të fëmijës, se një person i panjohur është paraqitur si shofer i familjes “Idrizi”, për të marrë fëmijën nga kopshti. Të pyetur për këtë ngjarje, prindërit e 4-vjeçarit kanë deklaruar se nuk kanë konflikte me askënd
Tiranë Një ngjarje e pazakontë ka tronditur familjen e gjyqtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj, kur një person i panjohur është paraqitur për të marrë djalin e mitur nga kopshti. Ngjarja, që me të drejtë ka shqetësuar prindërit e vogëlushit, është denoncuar në Prokurorinë e Krimeve të Rënda nga babai i fëmijës, Arben Idrizi, i cili mban detyrën e drejtorit të marrëdhënieve me jashtë në Komisionin Qendror të Zgjedhjeve. Menjëherë, Krimet e Rënda kanë vendosur nisjen e hetimeve me objekt “rrëmbimin ose mbajtjen peng të personit”, mbetur në tentativë, duke e vlerësuar me seriozitet rastin e denoncuar. Fatmirësisht, gjithçka ka përfunduar me kaq, pasi atë ditë fëmija katër vjeç nuk ndodhej në kopsht, sepse herët në mëngjes edukatorja kishte njoftuar familjarët për mungesën e energjisë elektrike. Sipas prokurorisë, që tashmë po heton mbi motivet e tentativës së rrëmbimit, mësohet se ngjarja ka ndodhur në datën 10 janar të këtij viti, por për shkak të sensibilitetit të çështjes, gjithçka është mbajtur e fshehtë. Pasi ka vlerësuar denoncimin, por edhe të dhënat e para, më datën 12 janar Prokuroria për Krime të Rënda ka vendosur regjistrimin e procedimit penal, duke argumentuar objektin e hetimit të mëtejshëm, që ende vazhdon. Sipas këtij vendimi rezulton, se më datën 10 janar, rreth orës 12:30 në kopshtin ku shkonte fëmija i anëtares së Gjykatës Kushtetuese, ka shkuar një person i panjohur, i cili është prezantuar si shofer i familjes “Idrizi”. “Në kopsht kishte shkuar një person i panjohur, i cili ishte prezantuar tek edukatorja e kopshtit, si shofer i familjes “Idrizi” dhe kishte kërkuar të merrte nga kopshti fëmijën e kësaj familje E. Idriz” - thuhet në vendimin e prokurorisë. Më tej argumentohet, se një gjë e tillë nuk është realizuar pasi personi në fjalë është vënë në dijeni nga ana e edukatores se fëmija nuk ndodhej atë ditë në kopsht. Sipas Prokurorisë bëhet me dije, se fëmija është i biri i Arben Idrizit, i cili mban detyrën e drejtorit të marrëdhënieve me jashtë në KQZ dhe i Altina Xhoxhajt, me detyrë anëtare e Gjykatës Kushtetuese. Menjëherë pas nisjes së hetimeve, prokuroria ka marrë edhe dëshminë e babait të të miturit, i cli ka sqaruar ngjarjen e datës 10 janar, kur fatmirësisht djali i tij nuk ka qenë në kopsht. Sipas tij, atë ditë edukatorja ka telefonuar në shtëpi, duke lajmëruar se në kopsht nuk kishte energji elektrike dhe për këtë arsye do ishte më mirë, që djali të mos shkonte atë ditë. I pyetur rreth konflikteve të mundshme që ai, apo bashkëshortja e tij mund të kishin, babai i fëmijës është përgjigjur negativisht, duke mohuar kështu çdo lloj konflikti, qoftë me fqinjët, apo dhe me persona të tjerë. Në vendimin e Prokurorisë thuhet se djali, gjithashtu është nipi i Seit Xhoxhajt, i cili mban detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit, Tiranë, por pa sqaruar përfshirjen e tij në këtë çështje, që vazhdon të jetë nën hetim. Deri tani, prokuroria nuk ka mundur të identifikojë ende personin e panjohur që është paraqitur në kopshtin e vogëlushit, por ka disa pista hetimi. Sipas burimeve mësohet se hetimet kryesisht janë përqendruar në detyrën e prindërve të 4-vjeçarit, por edhe gjyshit të tij që ushtron detyrën e gjyqtarit në Gjykatën e Apelit. Momentalisht, organi i akuzës nuk pranon të publikojë të dhëna rreth hetimeve të kësaj ngjarje, duke argumentuar se çështja është në fazë të rëndësishme. Kjo ngjarje duket se ka vënë në lëvizje, jo vetëm Prokurorinë për Krime të Rënda, por edhe strukturat e tjera shtetërore, të cilat i kanë ofruar mbrojtje anëtares së Gjykatës Kushtetuese dhe familjes së saj. Edhe banesa e familjes “Idrizi”, për disa kohë është ruajtur nga persona të specializuar, të caktuar enkas për këtë rast.
Familja “Idrizi” përfshihet në programin e mbrojtjes
Pas ngjarjes, Ministria e Brendshme cakton eskortë të posaçme për anëtaren e Gjykatës Kushtetuese dhe familjarët e saj
Tiranë Menjëherë pas denoncimit në Prokurori, anëtarja e Gjykatës Kushtetuese ka bërë kërkesë që ajo sëbashku me familjen të përfshihen në një program të posaçëm mbrojtje, deri në zbardhjen e çështjes. Kërkesa i është drejtuar Drejtorisë së Mbrojtjes së Dëshmitarëve dhe Bashkëpunëtorëve të Drejtësisë, ku është diskutuar nga një komision i posaçëm. Fillimisht anëtarët e komisionit kanë debatuar mbi këtë kërkesë, duke u përçarë nëse duhet marrë apo jo në mbrojtje anëtarja e Gjykatës Kushtetuese dhe familja e saj. Pas diskutimeve të shumta, komisioni ka vendosur që të caktojë mbrojtje të posaçme për familjen “Idrizi”, duke ngarkuar për ekzekutimin e këtij vendimi repartin special BRISK, i cili ka si detyrë mbrojtjen e të gjithë personave që përfshihen në këtë program. Vendimi është marrë po në muajin janar të këtij viti, ndërsa banesa dhe familja e anëtares së Gjykatës Kushtetuese ruhen nga persona të posaçëm, të specializuar për detyra të tilla. Duke qenë se çështja e tentativës së rrëmbimit të djalit të mitur nuk është zbardhur ende, përfshirja e kësaj familje në programin e mbrojtjes duhet të vazhdojë. Strukturat e ngarkuara me këtë detyrë, nuk kanë dhënë asnjë koment për këtë çështje, por konfirmohet se kryesisht, ditët e para të ngjarjes banesa e familjes Idrizi ka qenë gati e blinduar nga specialistët e BRISK, të cilët monitoronin në mënyrë të vazhdueshme shtëpinë. E njëjta mbrojtje është caktuar edhe për ruajtjen fizike të anëtarëve të familjes, të cilët gjithashtu janë në mbikëqyrje të vazhdueshme. Ende nuk dihet sa do të vazhdojnë këto masa, pasi gjithçka varet nga hetimi i Prokurorisë për Krime të Rënda, që ka aktualisht në dorë çështjen. Të kontaktuar dje, burime pranë kësaj prokurorie nuk pranuan të komentonin hetimet e kësaj dosje, duke mos dhënë kështu asnjë detaj, nëse është zbardhur ose jo tentativa për rrëmbimin e djalit të anëtares së Gjykatës Kushtetuese, Altina Xhoxhaj.
Prokuroria: Hetimi në disa pista
Tiranë Tentativa e rrëmbimit, për shkak të pozicioneve që kanë prindërit e 4-vjeçarit, mësohet se është një nga pistat për të cilat po heton Prokuroria për Krime të Rënda. Sipas të dhënave të siguruara nga burime konfidenciale, bëhet me dije, se puna si gjyqtare e nënës së fëmijës, sipas prokurorisë, mund të jetë një nga shkaqet për tentativën e këtij rrëmbimi. Por duke qenë se në vendimin e Prokurorisë për regjistrimin e procedimit penal, cilësohet se fëmija është nipi i gjyqtarit të Gjykatës së Apelit, hedh dyshime se ndër pistat e hetimit mund të jetë edhe detyra si gjyqtar i gjyshit të fëmijës. Të gjitha këto të dhëna janë duke u verifikuar në mënyrë të imtësishme nga grupi hetimor i ngritur për çështjen, i cili ende nuk ka një përfundim për këtë dosje, ose të paktën nuk ka një përfundim publik për rezultatet e hetimeve.