Berisha prezanton logon e fushatës – në qendër, flamuri kombëtar

Prijësi i fushatës së mazhorancës qeverisëse do të jetë flamuri kombëtar. Kryeministri Berisha ua ka prezantuar logon së pari 400 mijë miqve të tij në “facebook”, duke e cilësuar flamurin si prijësin e fushatës zgjedhore të së djathtës
Kryeministri Sali Berisha prezantoi dje në rrjetin social, Facebook foto me logon për fushatën zgjedhore të Partisë Demokratike. Siç përshkruan kreu i mazhorancës, prijësi në fushatë është flamuri kombëtar, ndërsa në logo është cituar slogani i fushatës së demokratëve, “Ne jemi ndryshimi, Përpara!”. “Të dashur miq! Unë do të vlerësoja shumë mendimin tuaj për logon tonë. Kam shumë kënaqësi që t’ju njoh ju para të gjithëve me logon e fushatës dhe fitores së ardhshme të PD. Në logo është shkruar slogani i fushatës sonë ‘Ne jemi ndryshimi, Përpara!’. Nga logo del qartë se prijësi ynë është Flamuri kombëtar. Zoti e bekoftë atë dhe fitoren tonë të 23 qershorit. Për mua ju jeni të parët!”, shkruan kryeministri Berisha në rrjetin social Facebook. Partia Demokratike dhe koalicioni i djathtë ndodhen në prag të nisjes zyrtare të fushatës elektorale për zgjedhjet e 23 qershorit. Në një takim me grupet e punës të martën, kreu i PD dhe njëherazi kryeministri i vendit, Sali Berisha përcaktoi objektivat e fushatës, duke konsideruar si parësore takimet inventive me qytetarët për të dëgjuar çdo shqetësim dhe problematikë të tyre. Në gjykimin e kreut të mazhorancës është e rëndësishme që qytetarëve tu ofrohet jo paragjykim, por vetëm dialog e mirëkuptim.