Berisha prezanton parajsën shqiptare në Izrael: I shpëtuam krizës se ndjek postulatet e Reganit
Ndërsa kanë dëgjuar kryeministrin Berisha teksa fliste në Forumin Ekonomik Izrael-Shqipëri, organizuar në Tel Aviv, izraelitët ndoshta do të jenë ndjerë xheloz pse nuk janë shqiptarë.
Gjatë fjalës së tij, Berisha e ka paraqitur Shqipërinë si një nga vendet që mund të krahasohet me Zvicrën dhe Norvegjinë jo vetëm për bukuritë natyrore, por edhe për zhvillimin e saj ekonomik.
Berisha ka thënë se arriti që nga 240 dollarë që merrnin për frymë shqiptarët 18 vjet më parë, ti ngrejë të ardhurat e tyre në 8 mijë dollarë për frymë.
Ne filluam 18 vjet më parë, si një nga vendet më të varfra në botë dhe të ardhurat për frymë ishin 204 dollarë amerikanë. Në këto dy dekadat e fundit, shqiptarët përdorën liritë. U ndihmuan nga miqtë, por ata derdhën lumenj djerse për të ndërtuar vendin e tyre. Sot, Shqipëria është një vend, ku të ardhurat për frymë janë 8000 dollarë amerikanë. Por ende është në mes të rrugës, ende nuk ka një bulevard përpara, por tani ka një horizont të ri për të arritur, ka thënë Berisha gjatë fjalës së tij.
Kryeministri ka thënë se bota është në një krizë të thellë, por Shqipëria nuk është prekur, pasi siç ka thënë vetë Berisha, ai ndjek postulatet e Roland Reganit për taksa të ulëta.
Unë jam njeri i taksave të ulëta. Kur u futa në politikë, nuk dija pothuajse asgjë për tregjet. Por isha një ndjekës i apasionuar i Ronald Reagan. Reagan shkruante se paraja në llogaritë e individëve privatë ka më shumë vlerë për shoqërinë, sesa paraja në llogaritë publike. Kështu që i ndoqa postulatet e tij. Në atë kohë vendosëm barrën më të ulët fiskale në Europë. Vendi im u bë një vend me rritje ekonomike dy shifrore. Pasi kalova në opozitë, taksat u rritën. Kur erdha sërish në pushtet, ula sërish taksat. Tani Shqipëria ka një taksë të sheshtë prej 10 për qind dhe 15 për qind, taksën e kontributeve të sigurimeve shoqërore për sipërmarrësit. Hoqëm shumë lloje taksash dhe tani jemi vendi me barrën më të ulët fiskale në rajon dhe në Europë, ka vijuar Berisha.
Berisha ka folur për një sërë çështjesh të tjera, duke e paraqitur Shqipërinë si një vend që ka bërë shumë arritje dhe që nuk ka asnjë problem të rëndësishëm. Thjesht një vend për tu pazur zili!