E Shtunë, 31 Tetor 2026

Berisha prish gojën me Xhufin: Je historian i leshit

Megjithëse opozita nuk ka qenë pjesëmarrëse dje në sallën e Kuvendit, tensioni dhe debatet e ashpra nuk kanë munguar. Debati është zhvilluar mes deputetit të LSI-së, Pëllumb Xhufi, dhe Kryeministrit Sali Berisha. Debat, i cili ka precipituar në sharje dhe fyerje personale, pasi kreu i qeverisë ka përsëritur në sallën e Kuvendit, edhe njëherë deklaratën e Kryetares së Kuvendit, Topalli, për Pëllumb Xhufin, si "historiani i leshit". Berisha ka marrë fjalën në Kuvend, për t‘i dhënë përgjigje deputetit të LSI-së, Nikollaq Neranxi, i cili ka bërë përgjegjëse qeverinë për shkatërrimin e mjedisit, por gjatë fjalës së Kryeministrit ka ndërhyrë Xhufi. Kaq është dashur që kreu i qeverisë të lërë për disa minuta debatin për mjedisin, duke i kthyer përgjigje deputetit të LSI-së, përgjigje të cilat më shumë se qeveritare kanë qenë akuza personale. "Ju e dini që për mua mjedisi është jeta. Një mjek që ka kaluar mbi një çerekshekulli në mbështetje të mjedisit nuk mund të mos ketë ndjeshmërinë maksimale ndaj problemeve mjedisore, ndaj dhe të ftoj të punojmë së bashku për mjedisin. Por, kam dy kërkesa, nuk duhet që sentimentet tona për shkak të ish-problemeve partiake të na shtyjnë drejt analizave të paqena. Zoti Xhufi, kur del këtu si historian i leshit dhe jo i asaj që duhet të jesh, ndiej keqardhje. Ta them se e meriton këtë, se ke dalë na ke bërë historinë e tregtisë së leshit në Ballkan. Më mirë shkruaj një libër për Bari Omarin, ki kurajën dhe shkruaje se ka vdekur si burrat", është shprehur Berisha. Por dhe përgjigjja e Xhufit ndaj Kryeministrit, ka qenë e menjëhershme, jo në mënyrë kaq vulgare por më diplomatike. Xhufi i ka kujtuar Berishës se ai për të disatën herë po ndërhyn në jetën e tij familjare. "Po ju them një gjë lidhur me Bari Omarin, unë e kam respektuar që nga koha kur fillova të arsyetoj. Nuk qe nevoja të bëhesha dhëndër i Luan Omarit, për ta respektuar dhe e respektoj për aq sa meriton të respektohet. Por Bari Omari në një moment të caktuar të jetës ka bërë një gabim dhe u dënua në një mënyrë që nuk duhet të dënohet. Dhe unë për këtë jam i qetë", është shprehur Xhufi.

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›