E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kodi, PD e PS i japin dy javë afat Topit

Dy partitë e mëdha kanë mbyllur sërish Kodin Zgjedhor, duke i dhënë Presidentit të Republikës, Bamir Topi, një kohë të shkurtër në dispozicion për të shpallë datën e zgjedhjeve të ardhshme parlamentare, për të cilat i janë dhënë si alternativë vetëm dy data: 21 ose 28 qershori. Në mbledhjen e djeshme të Komisionit të Reformës Zgjedhore që është mbledhur me urgjencë, PD-ja dhe PS-ja i kanë vendosur kufi Presidentit të Republikës, që brenda muajit janar të vitit 2009, ai duhet të caktojë datën e zgjedhjeve. Komisioni i Reformës Zgjedhore, i mbledhur dje pasdite, ka marrë në shqyrtim dekretet e Presidentit të Republikës, i cili kërkonte rishikimin e nenit 9 të Kodit Zgjedhor, pasi ekspertët ligjorë të Presidencës e kishin gjetur në kundërshtim me Kushtetutën e vendit. Neni kërkonte që Presidenti i vendit të shpallte datën e zgjedhjeve, nëntë muaj para mbarimit të mandatit qeverisës, por kjo kohë, tashmë ka kaluar, pasi vendi është vetëm gjashtë muaj para zgjedhjeve të përgjithshme. Për të zgjidhur këtë mospërputhje në Kodin e ri Zgjedhor, komisioni i reformës
miratoi një dispozitë kalimtare, e cila përcakton periudhën kohore për nxjerrjen e dekretit për caktimin e datës së zgjedhjeve. "Presidenti i Republikës nxjerr dekretin për caktimin e datës së zgjedhjeve të radhës për Kuvend të vitit 2009, jo më vonë se 7 ditë pas hyrjes në fuqi të këtij ligji, në përputhje me pikën 1 të nenit 9 të këtij Kodi". Ky është vendimi i marrë nga komisioni i që drejtohet nga Ilir Rusmali nga PD-ja dhe Fatmir Xhafa nga PS-ja. Tashmë ky ndryshim do t‘i paraqitet për miratim ditën e hënë, Kuvendit të Shqipërisë. Dy partitë e mëdha, janë përpjekur t‘ia bëjnë edhe më "lehtësuese" punën Presidentit të Republikës, duke i lënë të zgjedhë njërën nga dy të dielat e fundit të muajit qershor 2009 për datën e zgjedhjeve. Sipas komisionit të reformës, 21 ose 28 qershori janë dy ditët nga të cilat kreu i shtetit mund të zgjedhë për të dekretuar si datën e zgjedhjeve parlamentare. Gjithashtu, pas mbledhjes së komisionit të reformës, e cila ka zgjatur për gati një orë, bashkëkryetari socialist, Fatmir Xhafa, ka theksuar se amendamentet e paraqitur nga LSI-ja, nuk janë marrë parasysh, pasi nuk kanë qenë objekt diskutimi i këtij komisioni. Sipas Xhafës, komisioni ka qenë i mandatuar për të marrë në shqyrtim vetëm dekretin e Presidentit Topi dhe asgjë më shumë. Kjo është pranuar më pas edhe nga anëtari i LSI-së në këtë komision, Spartak Braho, i cili ka theksuar se komisioni nuk ka marrë në shqyrtim amendamentet e LSI-së dhe PDK-së, por ka shtuar ai, është lënë që ato të paraqiten për diskutim dhe miratim në Kuvend ditën e votimit. Nëse do të merren parasysh apo jo amendamentet e LSI-së, kjo mbetet për tu‘ parë dhe verifikuar në seancën e ditës së hënë në sallën e Kuvendit. Pikërisht në këtë seancë pritet të jetë prezente edhe PS-ja, e cila prej gati dy javësh është larguar nga salla e Kuvendit në shenjë bojkoti duke theksuar se do të rikthehet në sallë për të votuar projektligjet e qeverisë vetëm nëse mazhoranca sjell për votim në Kuvend Kodin e ri Zgjedhor. Ky i fundit u kthye në Kuvend nga Presidenti i Republikës, pasi nuk ishte në përputhje me Kushtetutën. Vendimi i kreut të shtetit, u kundërshtua ashpër nga mazhoranca dhe nga opozita, të cilat e shikonin të pavend argumentin e Presidentit. Por pavarësisht kundërshtisë në respekt të Kushtetutës, Kuvendi e rimori në shqyrtim dekretin, duke i dhënë dje edhe zgjidhjen përfundimtare. Tashmë topi është në fushën e Presidentit të Republikës, i cili deri në fund të muajit janar të 2009 duhet të ketë caktuar se kur do të paraqiten shqiptarët para kutisë së votimit për të zgjedhur qeverinë e re më 21 apo më 28 qershor 2009.


Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›