E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kryeministri: Bashkitë, të caktojnë territoret për kompensim

Në mbledhjen e djeshme të Këshillit të Ministrave, Kryeministri Berisha kërkoi nga të gjithë kryetarët e bashkive të vendit, që në territorin e bashkive të tyre të përcaktojnë toka të cilat mund t‘u ofrohen pronarëve për kompensim. "Çdo bashki e ka këtë mundësi, nga Kukësi deri në Gjirokastër. Ky do të jetë një shërbim shumë i madh që ne i bëjmë stabilitetit dhe zgjidhjes së problemit të pronësisë", u shpreh Kryeministri.
Kryeministri siguroi se qeveria do të ndërhyjë dhe do të veprojë shumë fuqishëm në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pronarëve. Në këtë drejtim, ai theksoi se disa grupe pune po punojnë për të diversifikuar ndërhyrjet që mund dhe duhet të bëhen në zgjidhjen e këtij problemi. "Ne do të ndërhyjmë në këtë drejtim. Shqipëria nuk është më Shqipëria e 15 viteve më parë, kur ka pasur mundësi tmerrësisht të kufizuara. Ne gjetëm një mal falsifikimesh, por sërish po shkohet drejt kthjellimit të situatës në këtë aspekt. Ndaj, në drejtim të zgjidhjes së çështjeve të pronarëve do të ketë një veprim shumë të fuqishëm nga ne", tha Kryeministri Berisha.

Parcelat ndërtimore, në favor të poseduesve informalë

Qeveria vendosi dje kalimin në pronësi të disa parcelave ndërtimore, në favor të poseduesve të objekteve informale.
Do të kalojnë në pronësi të poseduesve të objekteve informale, të sipërfaqeve të parcelave ndërtimore, të zëna, sipas listës dhe planvendosjeve përkatëse, që i bashkëlidhen këtij vendimi në Qarkun e Tiranës, 1 449 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 634 mijë m2. Në Qarkun e Vlorës, 1 306 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 517 mijë m2, në Qarkun e Shkodrës, 75 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 24 mijë m2. Po kështu, në Qarkun e Elbasanit, 1 036 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 314 mijë m2, në Qarkun e Lezhës, 129 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 58 310 m2. Në Qarkun e Kukësit, 40 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 18 mijë m2, në Qarkun e Gjirokastrës, 63 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 20 mijë m2, në Qarkun e Fierit, 47 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 17 mijë m2. Ndërsa në Qarkun e Durrësit, 441 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 172 mijë m2 dhe në Qarkun e Beratit, 81 parcela ndërtimore, me sipërfaqe të përgjithshme trualli 25 mijë m2.



Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›