Berisha propozon votim elektronik
Kryeministri Sali Berisha hodhi ditën e djeshme idenë e përdorimit të votimit elektronik në proceset e ardhshme zgjedhore. Këtë qëndrim, kreu i qeverisë e shfaqi gjatë konferencës së përbashkët për shtyp me Kryeministrin e Estonisë, Andrus Ansip, pas një takimi që zhvilloi në Kryeministri. Kryeministri theksoi se Estonia mund t’i jepte mbështetjen e duhur Shqipërisë për të zhvilluar votime elektronike, të cilat ky vend i aplikonte prej pesë vitesh. Berisha ftoi edhe opozitën që të shqyrtonte nga afër mënyrën se si funksiononte ky sistem në Estoni, në mënyrë që të krijonte besimin për aplikimin e tij edhe në vendin tonë. “Ajo çka unë do të propozoja është që anëtarë të komisionit të reformës zgjedhore, nga qeveria dhe nga opozita të bëjnë një vizitë në Estoni dhe të shohin të gjithë praktikën që është përdorur nga ky vend për zgjedhje elektronike”, ftoi Kryeministri. Ai u shpreh se personalisht kishte besim të plotë, se ky ishte një nga sistemet më transparente në botë dhe se Shqipëria mund ta aplikonte atë menjëherë. “E vërteta është se këto sisteme po përdoren gjithnjë e më shumë dhe janë sistemet më transparente. Ne jemi të gatshëm që së bashku me opozitën të përcaktojmë procedurat më të mira”, shtoi Kryeministri. Po kështu, homologu i tij estonez, Ansip, theksoi se vendi i tij po e përdorte këtë votim duke nisur nga viti 2005. Ndërsa theksoi se në zgjedhjet e një viti më parë, në Estoni ishte arritur që 15% e votave të qytetarëve të numëroheshin nëpërmjet internetit. “Në Estoni njerëzit i besojnë shumë sistemit elektronik të votimit, askush te ne nuk kërkon rinumërim. Kur ne i besojmë paratë tona, që lëvizin nëpërmjet internetit, atëherë përse të mos kemi besim edhe te vota e hedhur nëpërmjet internetit!” - argumentoi Kryeministri estonez gjatë konferencës së zhvilluar së bashku me Berishën. Sipas tij, Estonia këtë eksperiencë mund t’ia japë edhe Shqipërisë. Nga ana tjetër, Kryeministri Berisha deklaroi dje se mazhoranca i kishte ofruar opozitës të gjitha mundësitë për transparencë në kuadër të zgjedhjeve parlamentare të zhvilluara. “Për sa i përket qëndrimit të opozitës unë mund të theksoj se vendimi i Parlamentit në lidhje me komisionin parlamentar, për transparencë të plotë në çdo gjë tjetër përveç çështjeve, për të cilat ka vendime gjykatash, është i parefuzueshëm nga të gjithë ata që dëshirojnë transparencë”, saktësoi Berisha, duke nënkuptuar se mazhoranca nuk mund t’i bënte të tjera lëshime minorancës. Nga ana tjetër, Berisha theksoi se opozita është e lirë të protestojë në përputhje me ligjet e vendit. “Protestat janë një e drejtë e patjetërsueshme e opozitës dhe mbarë qytetarëve të një vendi të lirë, e garantuar me Kushtetutë, me të gjitha rregullat”, theksoi Kryeministri në lidhje me qëndrimin e fundit politik të opozitës për të vijuar pa ndërprerje protestat. Për sa i përket vizitës së homologut të tij, Berisha theksoi se marrëdhëniet politike midis dy vendeve janë të shkëlqyera dhe këto krijojnë një hapësirë të madhe për zhvillimin intensiv të shkëmbimeve ekonomike, kulturore, ushtarake dhe të gjithanshme. Po kështu, Kryeministri theksoi se ai e kishte informuar Kryeministrin Andrus Ansip për përpjekjet e mëdha që po bën Shqipëria për të arritur të liberalizojë vizat me vendet e BE-së dhe po kështu të ecë më tej në rrugën e integrimit europian. Por në fjalën e tij, Kryeministri estonez deklaroi se vendi i tij e përkrahte fuqimisht Shqipërinë në rrugën e saj drejt lëvizjes së lirë dhe BE-së. Por ai theksoi se ishte e nevojshme që reformat për të arritur këto objektiva mos të ndaleshin në asnjë moment.
#