Shtyhet Gërdeci, mungonin avokatët, në sallë për herë të parë Ylli Pinari
Mungesa e avokatëve ka shtyrë seancën e radhës të çështjes “Gërdeci”. Seanca e djeshme nuk është zhvilluar për shkak të mungesës së disa prej avokatëve. Kërkesa e bërë nga prokuroria për të shtyrë seancën ka sjellë reagimin e menjëhershëm të avokatit të Mihal Deliorgjit, Maksim Haxhia. Haxhia tha që seanca nuk duhet të shtyhet sepse shumica e avokatëve janë të pranishëm dhe të pandehurve mund t’u caktohet një avokat kryesisht. Trupi gjykues vendosi të pranojë kërkesën e prokurorisë, duke vendosur të shtyjë seancën. Ndërkohë që i pranishëm në seancë dje ishte dhe ish-drejtori i MEICO-s, Ylli Pinari. Pinari pritej që gjatë seancës të fliste për rolin e tij dhe të MEICO-s në fabrikën e Gërdecit. Gjatë seancës së kaluar, ish-komandanti i Forcës së Bashkuar, gjeneral Shpëtim Spahiu tha se pas njëfarë kohe, Gërdeci kaloi në varësi të MEICO-s dhe të gjithë përgjegjësinë për atë çka ndodhte në fabrikë pas këtij momenti e mbante MEICO.
#