E Shtunë, 31 Tetor 2026

Banorët e Komunës Zharrëz ngrihen kundër ndotjes së naftës

Fier Bllokohet rruga kombëtare Fier-Berat. Një peticion u dërgohet institucioneve më të larta shtetërore

Afro 200 banorë të Komunës Zharrëz, rreth 7 km nga qendra e Fierit, protestuan paraditen e së hënës. Shkak i protestës së këtij komuniteti ishte ndotja industriale e zonës, si dhe braktisja nga investimet e disa fshatrave të komunës. Protesta u organizua nga kryetarët e fshatrave, ndërkohë që u mbështet edhe nga deputetë të Partisë Socialiste për Qarkun e Fierit. Me parulla në dorë ata bllokuan aksin e rrugës kombëtare Fier-Berat dhe ecën në këmbë për afro 1 km, duke përparuar drejt godinës së komunës. Nga më shumë se 70% e popullsisë së komunës është nënshkruar edhe një peticion. “Një nga kërkesat tona më imediate është ajo e eliminimit të ndotjes industriale. Për këtë ne i drejtohemi edhe kompanisë ‘Albpetrol’ dhe asaj kanadeze ‘Banker’s petroleum’. Kompania ‘Albpetrol’ duhet që të mos derdhë më hidrokarbure në përroin që përshkon fshatin, si dhe duhet të eliminojë rrjedhjet e puseve që ndodhen edhe në oborret e banesave tona. Kurse kompania ‘Banker’s petroleum’ duhet të eliminojë çlirimin e gazit që kryen pranë qendrës së banuar”, është shprehur gjatë leximit të peticionit kryetari i fshatit Zharrëz, Jashar Bahaj. U kërkua gjithashtu se duhet të ndërhyhet për sistemimin e kanalizimeve të ujërave të bardha dhe të zeza, si dhe të shtrimit të rrugëve për katër fshatrat e komunës Sheqisht, Belin, Zharrëz dhe Marinzë. Peticionin organizatorët e protestës e dërguan në Ministrinë e Ekonomisë dhe Energjetikës, Ministrisë së Mjedisit dhe asaj të Transportit. Po ashtu peticioni iu drejtua edhe Parlamentit e qeverisë.

#

Më shumë nga Sociale

Të gjitha ›