Leskaj: Heqja e imuniteti të bëhej kur u ndryshua Kushtetuta
Deklarata e ambasadorit amerikan në Tiranë, Xhohn Withers, për domosdoshmërinë e heqjes së imunitetit për deputetët dhe zyrtarët e tjerë të lartë, ka rihapur edhe një herë debatin mes klasës politike shqiptare. Partia Demokratike në përpjekje për t’u paraqitur para faktorit ndërkombëtar e gatshme për të lënë ligjërisht imunitetin, ka kërkuar dje që të rikthehet në Kuvend nisma ligjore për kufizimin e tij. Në emër të grupit parlamentar demokrat, deputeti Bujar Leskaj, duke folur në seancën plenare ka theksuar se lënia e imunitetit do të nderonte të gjithë klasën politike shqiptare. Prandaj, është shprehur ai, është e papranueshme që politika të vazhdojë të akuzohet si mbartëse dhe mburojë kryesore e korrupsionit vetëm për shkak të statusit të paprekshmërisë që kanë deputetët përpara ligjit. Nisur edhe nga të dhënat e publikuara dy ditë më parë nga raporti i IDRA-s dhe USAID-it, Leskaj i ka bërë thirrje grupit të tij parlamentar që të rikthejë për rishqyrtim projektligjin për kufizimin e imunitetit. “Në këtë moment, kur pjesa më e madhe e qytetarëve anatemojnë me të drejtë apo pa të drejtë politikanët, por unë mendoj se në pjesën më të madhe me të drejtë, është detyra jonë që të rikthej dhe unë kërkoj nga grupi parlamentar i PD-së që të rikthejë në parlament nismën kushtetuese për imunitetin e deputetit”, - u shpreh deputeti Bujar Leskaj. Ndërkohë që ndaj kësaj çështjeje ka reaguar edhe kryetarja e grupit parlamentar socialist, Valentina Leskaj, e cila pavarësisht se nuk ka bërë të qartë nëse do të mbështesë një nismë të tillë ligjore, ka theksuar se ajo duhej të sillej për miratim në momentin kur u diskutuan ndryshimet kushtetuese. Ajo i ka bërë thirrje mazhorancës që të mos spekulojë me këtë çështje, pasi deputetët e PS-së e kanë dorëzuar imunitetin në mënyrë vullnetare.Dua të sqaroj qëndrimin e PS-së për vullnetin e kryeministrit për të hequr imunitetin dhe duke akuzuar opozitën për mungesë vullneti në këtë drejtim. Për këtë dua të them se kryeministri paraqiti një paketë me ndryshime të kushtetutës të cilat ne i kaluam në parlament dhe nuk kishte një propozim për heqjen e imunitetit që ta kundërshtonte opozita. Prandaj nuk duhet të spekulojmë me këtë”, - u shpreh kryetarja e grupit socialist, Valentina Leskaj.