E Shtunë, 31 Tetor 2026

Kongresi i PDK-së, Ndoka rizgjidhet kryetar

 

Kongresi autorizoi Ndokën për t’i kërkuar zyrtarisht Berishës shkarkimin e Gurakuqit dhe Bushatit

TIRANË- Kongresi i jashtëzakonshëm i Partisë Demokristiane rizgjodhi në krye të kësaj partie Nard Ndokën. Punimet e kongresit të mbajtur dje në TOB përfunduan me miratimin e vendimeve të Këshillit Kombëtar, të mbajtur pak ditë më parë. Për rrjedhojë, Kongresi autorizoi Nard Ndokën që t’i drejtohet zyrtarisht kryeministrit Sali Berisha për shkarkimin nga qeveria si përfaqësues të PDK-së të dy zëvendësministrave Anton Gurakuqi dhe Zef Bushati. Burimet nga kjo parti deklaruan dje për gazetën se Ndoka i është drejtuar zyrtarisht Berishës për shkarkimin e Gurakuqit dhe Bushatit. Ndërkohë, gjatë fjalës së mbajtur, Ndoka u shpreh se PDK nuk do të jetë më një parti e cila mund të vihet në shënjestër për t’u goditur nga segmente pa identitet në politikë. “Gjatë tranzicionit jemi mësuar me raste të shumta të sulmeve politike ndaj një Partie të caktuar, por rrallë ka ndodhur që këto sulme të kenë qenë të drejtuara në vetë identitetin politik, siglën apo aktivitetin politik të një Partie. Pjesë e kësaj fushate, fatkeqësisht, u bënë segmente politike të mazhorancës, për të cilat një PDK e fortë, konkurruese dhe me rritje të vazhdueshme elektorale, përbën një rrezik të karrierës dhe ambicieve të tyre krejtësisht personale”, tha Ndoka, duke shtuar se pjesë e këtyre skenarëve u bënë edhe disa anëtarë demokristianë, që u zgjodhën në poste të larta qeverisjeje.

Konflikti

Prej kohësh, demokristianët janë përfshirë në një debat të brendshëm, të cilin kongresi i jashtëzakonshëm është përpjekur që ta shuajë dje, duke votëbesuar kryetarin e kësaj partie dhe Këshillin Kombëtar. Konfliktet e brendshme çuan në mbajtjen e një tjetër kongresi ku u pretendua në fund te punimeve se anëtari i kryesisë së PDK-së, Anton Gurakuqi, u zgjodh kryetar. Por strukturat zyrtare më në krye Nard Ndokën i cilësuan këto lëvizje si përdorje nga disa klane të brendshme të PD-së. Madje Ndoka në një intervistë për mediat etiketoi Kryetaren e Kuvendit, Jozefina Topalli, se po ndërhyn në politikën e brendshme të PDK-së. Por dje, kryetari i PDK-së, pa dashur që të dalë në emra konkretë, ka shpjeguar arsyen se pse ndodh një gjë e tillë.“Me krenari e deklaroj sot përpara jush se ka marrë fund përgjithmonë ajo kohë, kur Partisë Demokristiane ia emëronin kryetarët faktorë politikë jashtë saj, duke e kontrolluar atë herë majtas e herë djathtas dhe duke e mbajtur vazhdimisht në periferi të politikës. Tashmë PDK-ja është ndarë përfundimisht nga kjo pjesë e dhimbshme e historisë së saj. I ashtuquajturi Kongres i 6 Majit ishte përpjekja e fundit e dështuar për t’i komanduar PDK-së lidershipin dhe kursin politik”, tha ai. Ndërkohë paralelisht me mbajtjen e kongresit, Anton Gurakuqi i cili pretendon se është zgjedhur edhe ky nga një kongres i jashtëzakonshëm si kryetar i PDK-së ka depozituar një kallëzim penal ndaj Nard Ndokës për falsifikim sigle, të njëjtën lëvizje, që në fakt ky i fundit ndërmori zyrtarisht dy ditë më parë.

Nevila Perndoj

Më shumë nga Aktualitet

Të gjitha ›