Rithemelimi i PD-së, shansi i vetëm!
I. Partia Demokratike gjendet para një udhëkryqi historik, jo vetëm për atë vetë si forcë politike, por për të ardhmen e vendit dhe demokracinë. Është një moment historik, që duhet vlerësuar për vetë rëndësinë që ka konfigurimi i ri i skenës politike në Shqipëri, pas zgjedhjeve të 23 qershorit.
Panorama e zymtë e një force politike të drobitur nga humbja, rëndohet edhe më tepër, po të kemi parasysh se PD që prej krijimit vuan nga mungesa e theksuar e demokracisë së brendshme, mungesa e lirisë për të shpalosur alternativa. PD duhet ta kishte konsideruar humbjen në këto zgjedhje si normale, sepse pas 8 viteve qeverisje humbja mund të ndodhte dhe në njëfarë mënyre duhej të gjendej më e përgatitur. Por kjo duket më shumë se një humbje e zakonshme.
Humbja thellohet, kur opsionet për krijimin e një fronti opozitar të fortë përballë mazhorancës së ekzagjeruar nga e majta janë të pakta, duke nisur që nga zgjedhja e kryetarit të PD-sa pas dorëheqjes së Sali Berishës, i cili mbeti në krye të saj për më shumë se dy dekada. Për një kohë të gjatë strukturat organizative dhe drejtuese të PD pothuajse nuk kanë funksionuar. Marrëdhëniet nga qendra në bazë kanë qenë një klishe e detajuar saktë, e mirëpërcaktuar, pa asnjë nevojë për të ndërtuar rrugë të reja komunikimi. Për fat të keq fraksionet brenda partisë pothuajse kanë munguar dhe ata që morën mundimin të largohen, shpejt u kthyen kokulur, të joshur nga pushteti, pa sjellë asnjë ide të re, duke qenë të detyruar të pranojnë paktin e heshtjes, i cili i ktheu ata në zyrtarë të rëndomtë.
II. Por pavarësisht humbjes të së drejtës për të qeverisur, PD ka shumë punë për të bërë. Kryeministri në largim, Berisha, ka lënë të kuptohet qartë se edhe pse do të jetë një anëtar i thjeshtë i PD, do të asistojë në zgjedhjen e kryetarit të ri, çka do të thotë se ai do të vendosë për liderin e ardhshëm. Historia duket se po përsëritet, por në kahun e kundërt.
Në qershor të vitit 1991, Partia Socialiste (ish- PPSH) ishte para një dileme të ngjashme, kur i duhej të zgjidhte një kryetar të ri.
Sot, 22 vite më pas, ndodhemi në një tjetër kontekst politik. Shumë ngjarje kanë rrjedhur qysh atëherë, por jo aq shumë sa ta bëjnë të pamundur këtë krahasim.
Le ti shohim më hollësisht:
Në vitin 1991, PPSH i fitoi të parat zgjedhje pluraliste, që zhvilloheshin në Shqipërinë e saposhndërruar nga një sistem totalitar në sistemin e ri pluralist. Zgjedhjet u zhvilluan më 31 mars 1991, ndërsa PD kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar, më 12 dhjetor 1990. PPSH mundi të bëjë disa ndryshime të rëndësishme për kohën. Në listat e kandidatëve për deputetë u përfshi një grup intelektualësh, edhe pse ata kishin qenë afër nomenklaturës, por të papërlyer me mëkatet e sistemit. PPSH ndryshoi programin dhe statutin e saj, qoftë edhe formalisht, por e përshtati me programin e statutin e një partie në kushtet e një sistemi pluralist, e gatshme për të hyrë në garë elektorale. Anëtarësia u mobilizua, pasi partia kërcënohej si kurrë më parë. Pas 45 vitesh partisë-shtet i duhej të përballej me një kundërshtar, që ishte Partia Demokratike e sapothemluar. Vullnetarët e Enverit ishte një prej elementëve, që ndikuan në mobilizimin e anëtarësisë për të mbrojtur dhe mbajtur në këmbë në këto zgjedhje partinë.
Nga ana tjetër PD ishte krejt e papërgatitur. Kishte vetëm pak muaj që ishte themeluar dhe strukturat ende nuk ishin ngritur. Vetëm katër muaj kohë për të hyrë në zgjedhje, ishin shumë pak. Themeluesit e PD u shpërndanë me urgjencë ku mundën nëpër Shqipëri, në kushte mjaft të vështira dhe ia dolën të organizohen minimalisht nëpër qytete, duke ngritur strukturat, rreth të cilave afrohej elektorati. Ndërkohë doli në plan të parë edhe konkurrenca për të marrë postin e liderit. Sali Berisha ende nuk ishte zgjedhur si kryetar i partisë. PD kishte kaluar nëpër një sërë mbledhjesh të Komisionit Nismëtar, ku herë zgjidhej Azem Hajdari si kryetar i komisionit, herë Aleksandër Meksi dhe procedura kthehej e kthehej, deri sa u zgjodh në krye të komisionit nismëtar Sali Berisha. Dukej më i duhuri për shkak të specifikave. Si figurë që ishte identifikuar në lëvizjet e dhjetorit, jepte më shumë besim dhe siguri për opozitarët. Sidoqoftë, ky çorientim i organizimit të brendshëm të PD pati ndikimin e tij në betejën elektorale. Fushata e PD u përqendrua kryesisht në qytete, atje ku dhe ishte investuar më shumë në ngritjen e strukturave.
Këto elemente u reflektuan në rezultatin e zgjedhjeve. PPSH fitoi shumicën në kuvendin e pas zgjedhjeve të 31 marsit. PD fitoi thuajse në çdo qytet, ose në të gjitha qytetet e mëdha, ndërsa PPSH mori shumicën e votave në shkallë vendi. Menjëherë pas krijimit të qeverisë së re, opozita nisi të riorganizohej dhe paralelisht me këtë vazhdonte edhe aksionin politik, duke shtuar dozat e opozitarizimit deri në rrëzimin e qeverisë së PPSH. Kjo e fundit dukej e çorientuar, edhe pse ky ishte një proces i natyrshëm, pasi për herë të parë ata gjendeshin përballë sulmeve opozitare dhe kishin një kundërshtar. Nga ana tjetër drejtuesit e PPSH kishin projektuar ndryshimin brenda tyre, duke ditur se e ardhmja e tyre në qeverisje nuk ishte e sigurt, ndaj dhe investimi po shkonte gjithnjë e më shumë drejt riorganizimit dhe njëherësh lënies së pushtetit, pra zgjedhjeve të parakohshme, të cilat opozita demokrate i kishte artikuluar si kërkesë qysh në ditët e para pas zgjedhjeve të 31 marsit. PPSH shpalli kongresin e dhjetë të saj në pranverën e vitit 1991. Grupe pune kishin përgatitur programin e ri, statutin dhe kishin bërë të gjithë ndryshimet e nevojshme për të ndryshuar fytyrën e partisë së vjetër. Elita politike ishte sfida kryesore. Cila do të ishte ajo dhe kush do të ishte përcaktuesi i listës finale? Padyshim Ramiz Alia. Ai ishte larguar formalisht nga partia, pasi u zgjodh nga parlamenti i 91 si president i vendit. Pra zyrtarisht Alia nuk kishte arsye të përzihej në punët e partisë. Megjithatë ai ishte prezent në çdo zhvillim që ndodhte brenda partisë për të thënë fjalën vendimtare.
Gjetja e pasardhësit ishte sfida e tij. Dhe kështu ndodhi. Dëshmitarë të atij kongresi e kanë pohuar publikisht se Fatos Nano ishte një zgjedhje e Ramiz Alisë. Nuk ishte i pari, natyrisht, pasi Alia kishte ftuar të tjerë intelektualë për tju ofruar postin e pasardhësit të partisë së vjetër, bashkë me mbështetjen për vazhdimësinë. Në një situatë specifike brenda PPSH, por edhe si moment i rëndësishëm i politikës, PPSH u shndërrua në PS brenda një nate dhe Ramiz Alia ia doli të përcaktojë elitën e re politike, që do të drejtonte partinë, të cilën ai kishte lënë formalisht qysh kur kishte pranua
