Ermal Kuqo nuk mjafton, Kosova mposht Shqipërinë
Vendimi i Ermal Kuqos për të luajtur me Kombëtaren shqiptare në moshën 30-vjeçare është pritur mjaft mirë në të gjitha ambientet e basketbollit. Ylli korçar, që deri më tani ka përfaqësuar Turqinë, u aktivizua me fanellën kuqezi në turneun ndërkombëtar të zhvilluar në Prishtinë, ku përveç Shqipërisë kanë marrë pjesë edhe Kosova dhe Emiratet e Bashkuara Arabe. Megjithatë, as prezenca dhe eksperienca e Kuqos nuk ka mjaftuar që skuadra e drejtuar nga trajneri amerikan Mark Dikel të fitonte. Kosovarët triumfuan me rezultatin 101:94, ndërsa kjo ishte fitorja e dytë, pas asaj të arritur përballë përfaqësueses arabe me shifrat e thella 127:58. Përballë Shqipërisë, Kosova e trajnerit Agim Kasapolli fitoi falë një finaleje dramatike, ku për të përcaktuar fituesin ishin të nevojshme 5 minuta shtesë. Një sekondë përpara fundit të kohës së rregullt, Kosova barazoi rezultatin në 86:86, ndërsa në shtesë ata fituan me 7 pikë diferencë. Ermal Kuqo, qendra gjigande, ishte shënuesi më i mirë i Shqipërisë me 24 pikë, ndërsa në radhët e Kosovës spikati qendra Blerim Mazreku, i cili realizoi 34 pikë. Turneu në Prishtinë i shërben përfaqësueses tonë të basketbollit për t’u përgatitur për eliminatoret e kampionatit europian, që do të zhvillohen në muajin gusht.
#