Berisha ripërsërit vendimin: Nuk dal mbi vullnetin e Gjykatës
TIRANE- Në një deklaratë të publikuar në faqen zyrtare të Këshillit të Ministrave, Kryeminstri Sali Berisha ka ripërsëritur edhe njëherë qëndrimin e tij për të mos prekur vendimet e gjykatës, ndërsa thekson se Ramës i ka kërkur ti listojë problemet që ekzistojnë mes opozitës e Maxhorancës. Të gatshëm për ngritjen e komisionit hetimor. “Natyrisht, unë nuk mund të trajtoj problemet zgjedhore që PS ka me Gjykatën e Apelit, sikundër unë nuk kërkoj trajtimin nga ne të dy të problemeve zgjedhore që Partia Demokratike ka me Gjykatën e Apelit. Problemet me vendimet gjykatave nuk janë probleme midis partive, por janë çështje që secila prej partive ka me pushtetin gjyqësor dhe vendimet e tij. Unë i propozova zotit Rama të listojë të gjitha çështjet dhe problemet që ekzistojnë mes mazhorancës dhe opozitës, mes Partisë Demokratike dhe Partisë Socialiste dhe ne do t’i trajtojmë ato në mënyrën me serioze dhe më konstruktive”- thuhet në deklaratën e Berishës.Sipas kreut të qeverisë, nga vendimet e gjykatës nuk është penalizuar vetëm opozita, por edhe maxhorancës dhe këto janë cështje që PS duhet ti zgjidhë me pushtetin gjyqësor dhe jo me PD.“Gjykata e Apelit ka hedhur poshtë jo vetëm kërkesën e zotit Rama për rinumërim të votave në disa zona, por ajo ka hedhur poshtë edhe kërkesën e Partisë Demokratike për rinumërim në distriktin e Fierit. çështje të cilat Partisë Socialiste ia ka hedhur poshtë gjykata janë çështje mes saj dhe pushtetit gjyqësor dhe jo mes saj dhe Partisë Demokratike” – theksoi Berisha. Në deklaratë theksohet se, Ramës i është kërkuar hartimi i amendamenteve për vërejtjet që kanë, ndërsa nënvizohet se qeveria është e gatshme të ngejë komision hetimor ku PS të ketë shumicën e anëtarëve.“Në kuadër të rezolutës së KE dhe raportit përfundimtar të OSBE / ODIHR –it, koalicioni qeveritar i ofron zotit Rama dhe opozitës që të hartojë të gjitha amendamentet për adresimin e vërejtjeve dhe sugjerimeve të tyre dhe mazhoranca do t’i votojë ato. Sikundër jemi të gatshëm të ngremë komisionin hetimor parlamentar që në seancën e ardhshme, ku opozita të ketë shumicën në të gjitha votimet në këtë komision, përmes tërheqjes së dy anëtarëve tanë nga kuorumi i tij”.(m.a/BalkanWeb)